Thomas Muller rinovoi disa ditë më parë kontratën me Bayern Munchen deri në vitin 2023. Sulmuesi do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës së zemrës, nga e cila mendoi të largohej për një moment. Niko Kovac nuk po e aktivizonte më, por ulja e Flick në pankinë solli ndryshimin pozitiv.
30-vjeçari flet rreth situatës së vështirë për sajtin zyrtar të klubit. Sivjet ka shënuar 10 gola nga të cilat 8 i ka realizuar me Flick si trajner. Faza e dytë e sezonit ishte shumë e mirë për të dhe Muller është rikthyer të buzëqeshë e shënojë.
“Në vjeshtë mbeta jashtë formacionit titullar për gjashtë ndeshje radhazi. Ishte e vështirë dhe po mendoja të largohesha. Ndryshimi në stol solli ndryshimin e lojës tonë dhe gjithçka filloi të përmirësohej. Jo vetëm që fillova të aktivizohesha më shumë, por lashë edhe shenjën time në disa ndeshje“, deklaron Thomas Muller. /abcnews.al