Lojrat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut u fituan nga Norvegjia. Vendi i vogël nordik la pas gjithë botën, jo me shumë miliona, por me kulturën sportive të një shoqëria tepër modern.
Shfaqja e madhe përfundoi me një fitues të paracaktuar.
Ishte Norvegjia që dominoi Lojrat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut, duke lënë pas gjigandë si Gjermania apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendi me vetëm 5.2 milionë banorë vazhdoi traditën, si kombi më i suksesshëm në historinë e Olimpiadave të dëborës, me 14 medalje të arta, 14 të argjendta dhe 11 bronzi.
Norvegjia, jo vetëm fitoi në Pjonjang, por ajo mban rekordin e të gjitha kohëve, duke pasur gjithsej 368 medalje, ndaj 305 të Shteteve të Bashkuara, apo 240 të Gjermanisë.
Në mënyrë të pakrahasueshme ka mesataren më të lartë në botë për frymë popullsie, me 1 medalje për çdo 11 000 banorë.
Norvegjia ia doli vetëm me 10 për qind të buxhetit të Britanisë së Madhe, njohur ndryshe Mbretëria e Bashkuar, e cila zuri vetëm vendin e 19-të në tabelën e medaljeve.
Buxheti vjetor i Komitetit Olimpik Norvegjez arrin në më pak se 16 milionë euro, në krahasim me 160 milionë euro që është buxheti i Komitetit Olimpik Britanik, por diferenca në sukses nuk ka të krahasuar.
Gazetarët e huaj, të tërhequr nga suksesi i nordikëve, kanë shkuar në vendin verior dhe kanë veçuar si faktorë të suksesit, dietën ushqimore, mënyrën e stërvitjes dhe kulturën.
Norvegjia ka 50 000 ishuj, dhe 83 000 km vijë bregdetare, pra mund të sigurojë peshkun e freskët me shumicë për sportistët e saj.
Po ashtu, vetë natyra e saj, me 390 000 km katrorë të mbuluar nga Alpet, është një infrastrukturë gjysmë e gatshme.
Padyshim që këto kanë rolin e tyre, por janë diçka që mund ta kopjojë çdo vend i rëndësishëm sportiv në botë si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kanadaja, Rusia, Britania apo Franca.
Ajo që ndryshon më shumë dhe e vështirë të kopjohet është kultura e vendit, mënyra e jetesës.
“Vizioni ynë është sporti për të gjithë, – thotë Tom Tvet, presidenti I Komitetit Olimpik të Norvegjisë, – çdo fëmijë, përpara sesa të mbushë 12 vjeç, duhet të ndjejë kënaqësinë e sportit, prandaj ne nuk fokusohemi tek fitorja me çdo kusht, por jemi të përkushtuar që të angazhojmë fëmijët në 11 000 klubet tona lokale sportive në të gjithë vendin. Sot, ne kemi 93 për qind të fëmijëve dhe të të rinjve që rregullisht merren me sport në këto organizata”.
Bëhet fjalë për organizata publike që i krijon vetë komuniteti, apo bashkësia e njerëzve në qytete apo fshatra, që nuk mendojnë të shtojnë llogarinë bankare, por që të kullandrisin sa më mirë paratë e tyre për të krijuar një jetë të shëndetshme.
Vetëm më të mirët, kalojnë në sportin e elitës, shkojnë në Qendrën Sportive të Elitës, “Olimpiatopen”.
Po ashtu, shkojnë në Shkollën e famshme të lartë në Meraker, një nga komunat norvegjeze, e specializuar për sportet dimërore, sidomos ato me ski.
Sportistët e dalë nga kjo shkollë fituan në Lojrat e kaluara Olimpike në Soçi, më shumë medalje sesa gjithë skuadra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Aktiviteti sportiv është lehtësisht i arritshëm për fëmijët dhe të rinjtë, pasi mbi 95 për qind i arsimit bazë dhe të mesëm është publik, ashtu si 90 për qind i arsimit të lartë.
Sporti në Norvegji bazohet tek kolektiviteti, parimi “një për të gjithë, të gjithë për një”, jo tek yjet kapriçozë individualë.
Imagjinoni kur këtë e thotë një nga më të mirët e botës, si Kjetil Jansrud.
“Ne nuk duam të kemi në skuadrën yje tekanjozë, – shprehet ai, – nuk besojmë se duhet të jesh si personazh filmash që të bëhesh kampion në sport”.
Skuadra olimpike norvegjeze stërvitet bashkë, dhe po ashtu argëtohet bashkë mbrëmjeve të së premteve, së bashku me partnerët apo familjarët.
Është llogaritur që ata kalojnë 250 ditë të vitit së bashku.
“Ne jemi vend i pasur, por ne besojmë tek gjërat e bëra bashkërisht, në mënyrë komunitare, – thotë Morten Alsen, ish-kampion olimpik norvegjez i vitit 1992, – ne besojmë tek puna dhe solidariteti, ndërsa nuk duam të zhvillojmë sporte që janë shumë të shtrenjtë, edhe pse paratë nuk na mungojnë”.
Sportistët norvegjezë nuk duan të qendrojnë në dhoma teke në hotele me pesë yje, por shpesh ndajnë dhomat bashkë, sikur të ishin studentë të varfër që vijnë nga fshati.
Po ashtu, nuk është e rrallë që një sportist më i pasur të paguajë stërvitjen e një sportisti më të varfër, dhe ata ta bëjnë bashkë praktikën.
Ja si e spjegon suksesin e tij, njëri nga norvegjezët më të famshëm, 25-vjeçari Anders Fanemel, rekordmen i kërcimit me ski.
“E nisa sportin thuajse në kohën që nisa të ecja dhe të mendoja, – shprehet ai, – u rrita në një fermë, ekonomi bujqësore në Hornindal. Babai im ndërtoi një lloj infrastrukture praktike rrotull shtëpisë. Pra, babai im ndërtoi një vend ëndrrash për mua si fëmijë dhe unë arrita të fitoj disa trofe dhe medalje në karrierë”.
Ka edhe arsye tjetër për suksesin.
Duke qenë një nga shoqëritë më të zhvilluara në botë, në mos më e zhvilluara, ajo norvegjeze është shumë e afërt me teknologjinë më të zhvilluar.
Që të fitosh në sport nuk mjafton vetëm dëshira dhe puna, por duhen edhe kushtet.
Po ashtu, nuk refuzohet përvoja e huaj.
Havard Lorencen fitoi medaljen e parë të artë për Norvegjinë në garën e shpejtësisë prej 500 metrash, dhe ia dedikoi suksesin trajnerit të tij kanadez, Xheremi Uothërspun.
Po ashtu, trajneri austriak, Aleksandër Shtokl, ka realizuar mrekullira me skuadrën e kërcimit me ski, që fitoi medaljen e artë në Pjonçan.
Natyrisht, Norvegjia apo vendet skandinave në përgjithësi janë krejtësisht specifike, dhe as shtetet e tjera të zhvilluara të botës nuk mund t’u ngjajnë.
Norvegjia është një nga shoqëritë më të pasura në rruzull, gjë që e lejon të ndërtojë çdo infrastrukturë sportive që dëshiron, ndërsa njerëzit kanë kulturën që të kërkojnë jetën e shëndetshme, sportive.
Natyrisht, në Kore të Jugut nuk konkurroi vetëm një skuadër.
Paraqitje të shkëlqyer bëri Gjermania, me po aq të arta sa fituesit, 14, ndërsa si gjithnjë e fortë ishte Kanadaja.
Po Shqipëria ku e ka vendin në botën e sporteve të dëborës?
Skuadra jonë olimpike mori pjesë vetëm me dy sportistë, Erjon Tolën dhe Suela Mëhillin.
Tola arriti rezultatin më të mirë, vendin e 36-të në sllallomin për meshkuj, ndërsa doli I 47-ti në sllallomin gjigand.
Mëhilli përfundoi vetëm sllallomin gjigand për femra duke dalë e 53-ta.
Po ashtu, lajmi i madh ishte debutimi i Kosovës me sportistin e saj, Albin Tahiri, që mori pjesë në katër disiplina, duke zënë një vend të 37-të në garën e kombinuar.
Sidoqoftë, një vend ku sporti nuk ka as vlerësim shoqëror dhe as shtetëror, edhe thjesht mundësia për pjesëmarrje sigurohet nga sportitë që jetojnë dhe stërviten jashtë.