“I vogël tymosja dhe vidhja karamele, fitorja me Gjermaninë festë kombëtare”

schedule13:36 - 7 Prill, 2020

schedule 13:36 - 7 Prill, 2020

Arkadiusz Milik është i ftohtë përpara portës kundërshtare dhe ka shënuar gjithmonë me skuadrat ku ka luajtur dhe kombëtaren polake. Sulmuesi i Napolit ka qenë një “horr” kur ka qenë i vogël, aventurë që e kujton me buzëqeshje në një prononcim për AS, aty ku flet edhe për raportin me Robert Lewandowskin dhe një triumf të paharrueshëm për popullin polak.

Në moshën 6-vjeçare isha i pacipë, pija cigare dhe vidhja karamele në dyqane. Për fat të mirë, Moki (trajneri që e zbuloi, Slawomir Mogila) u shfaq në jetën time dhe më shpëtoi. Lewandowski? Unë dhe Leva luanim bashkë, ai qendërsulmues, unë pas tij. Ka qenë e bukur të luaja përkrah tij. Jemi një dyshe e rrezikshme, por ai është më i mirë se unë. Kam shumë për të mësuar”, deklaron Milik.

 

Milik në momentin që ndëshkoi Gjermaninë

 

Një kujtim fantastik mbetet fitorja 2-0 ndaj Gjermanisë në eliminatoret e Euro 2016. Milik hapte serinë e golave ndaj kundërshtarit të urryer dhe e gjithë Polonia festonte gjatë fitoren e parë në histori ndaj atyre që pak muaj më parë kishin fituar Kupën e Botës. “Kur e pashë sërish ndeshjen pas disa javësh, fillova të lotoja. Bëmë të lumtur të gjithë Poloninë. Festa zgjati dy ditë, nëna ime ishte personi më krenar në botë”, kujton bomberi i Napolit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!