ABC News zbulon emrin e biznesmenit të mashtruar nga stomatologia Olesia Duka. Idlir Hoxha nga qytetit i Durrësit i kishte dhënë 900 mijë euro 38-vjeçares, pasi kjo e fundit do të plotësonte 8 klinikat e saj dentare me aparatura.
Një ditë pas arrestimit të Olesia Dukës, policia e Durrësit ka treguar dhe emrin e biznesmenit që u mashtrua nga ajo duke i marrë 900 mijë Euro. Ai është Idlir Hoxha, biznesmen në Durres, i cili ka në pronësi një pikë të këmbimit valuator dhe një restorant. Prokuroria e Durrësit të dielën zbuloi skemën e mashtrimit të stomatologes 38-vjeçare, e cila iu merrte para biznesmenëve të ndryshëm, duke i gënjyer se kishte tetë klinika dentare dhe duhet të blinte aparatura e pajisje, ndërkohë që nuk i kthente më shumat e marra. Ndërsa sot në policinë e Tiranës janë bërë edhe 6 denoncime të tjera për mashtrim nga 38-vjeçarja stomatologe. Edhe 6 personat e tjerë janë mashtruar në të njëjtën mënyrë nga stomatologia.
Nisur nga dëmi i madh i shkaktuar, Gjykata e qytetit bregdetar ka lënë në masë sigurie arrest me burg për Dukën. Ndërkohë u vendos edhe sekuestro preventive për pesë pasuri të 38-vjeçares dhe familjarëve të saj me një vlerë mbi 300 mijë Euro. Prona të paluajshme u sekuestruan në Tiranë e Durrës, aparatamente banimi. Por stomatologia ka edhe një klinikë dentare në Tiranë, e cila gjithashtu u sekuestrua. Duka ishte një person i njohur, pasi kishte marrë pjesë në disa fondacione bamirësie në Shqipëri e Kosovë. /abcnews.al