Diego Maradona u shpreh pak ditë më parë se do të ulte rrogën e tij. Trajneri i Gimnasia La Plata është solidarizuar me klubin e tij në këtë krizë të shkaktuar nga koronavirusi. Situata është kaotike dhe legjenda argjentinase i ka dalë në mbrojtje futbollistëve.
Në një prononcim për The Mirror, Maradona sulmon ashpër disa klube tinëzare, siç i quan ai. Ish-futbollisti i madh flet hapur si gjithmonë dhe shpjegon mendimin e tij rreth krizës ekonomike që ka prekur botën e futbollit.
“Ka disa lojtarë që nuk duhen paguar fare, është e vërtetë dhe e dimë të gjithë. Por, ka edhe lojtarë që nuk mund të luajnë falas as për një muaj dhe klubet duhet t’u japin rrogat. Shumë klube po bëjnë rolin e tinëzarit, po përfitojnë nga koronavirusi për të mos paguar rrogat e lojtarëve. I trajtojnë prej vitesh futbollistët si skllevër. Nuk duhet të merren me justifikime, lojtarët kanë nevojë të ushqehen”, deklaron Diego Armando Maradona. /abcnews.al