Kina është sot në ditë zie në nder të viktimave të koronavirusit. Në vend është mbajtur mëngjesin e kësaj të shtune tre minuta heshtje në shenjë homazhi për 3,300 njerëz që vdiqën nga Covid-19.
Në orën 10:00 me kohën lokale (03:00), njerëzit qëndruan në mbarë vendin për tre minuta në këmbë dhe të heshtur në nderim të të vdekurve.
Heshtja perfshiu Asamblenë Kombëtare Popullore të Kinës, Këshillin e Shtetit dhe të gjitha institucionet e rëndësishme partiake dhe shtetërore. Alarmet e mbrojtjes ajrore dhe boritë e makinave, trenave dhe anijeve, ranë në të njëtën orë.
Viktimat janë konsideruar si “Martire”, titulli më i lartë i nderit i dhënë nga Kina për shtetasit që japin jetën për vendin. Qeveria e provincës Hubei u ka dhënë këtë emërtim 14 personave që vdiqën duke punuar në shërbim të pacienteve me koronavirus, ndër të cilët punonjës mjekësorë, policë dhe punonjës lagjeje.
Rastet e para të koronavirusit u zbuluan në qytetin kinez Wuhan në provincën Hubei në fund të vitit të kaluar. Që atëherë, virusi ka përfshirë globin, duke infektuar më shumë se një milion njerëz dhe duke u marrë jetën gati 60,000 në 181 vende./abcnews.al