Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka folur në një lidhje Skype me emisionin Studio Sprint në ABC News. Në bisedën e tij me moderatorin Gerti Çarçani, Salihu pranoi se fondi i dhënë nga shteti për sportin, nuk është i mjaftueshëm, si dhe zbuloi që sërish në prill, do të ketë një tjetër video-konferencë me UEFA-n dhe Federatat anëtare, për të përcaktuar datat e rifillimit të futbollit.
“Po të them të drejtën, e ndoqa dhe Kryeministrin Rama dhe jam i lumtur që Qeveritë e dy shteteve tona, po bëjnë të pamundurën për të parandaluar përhapjen masive të këtij virusi famëkeq. Kemi pasur një video-konferencë ne si sekretarë të përgjithshëm të Federatave, do të kemi dhe një video-konferencë tjetër në prill, për të vendosur datat e rifillimit.
Qëllimi ynë është të rifillojë çdo garë ekipore, pasi në të kundërt ka shumë probleme ekonomike. Nëse është nevoja, të luhet edhe gjatë verës. Ndihma financiare e shtetit? E vlerësojmë shumë që shteti ka dhënë 5 milion euro, edhe në këtë kohë që Qeveria është në ikje. Megjithatë, kjo shumë nuk është e mjaftueshme, kemi vendosur dhe ne që të japim një shumë për të vazhduar sportin.
Ne nuk mund të krahasohemi me shtetet tjera kur vjen puna te humbjet. Klubet tona, po flas më shumë për Kosovën, nuk ka humbje të mëdha. Por UEFA do të ketë shumë humbje nëse nuk zhvillohen Champions ose Europa League. A do të japë ndihmë UEFA dhe FIFA për Kosovën dhe Shqipërinë, mbetet për t’u parë. Të dy Qeveritë e Futbollit kanë presion për të bërë asistencë.
Këto 5 milion euro, janë dhënë për sportin në tërësi. Për futbollin, i bie 400-500 mijë euro, por nuk janë shumë, duhen ndihmuar të gjitha klubet. Kur Federata merr fonde nga Ministria, ndahen në mënyrë të përcaktuar te të gjitha klubet, jo vetëm ato profesioniste.
Shpresoj që për 2-3 muaj, të gjithë së bashku, të dalim nga kjo situatë. Sponsorët e mëdhenj nuk kanë qarkullim, nuk kanë fitim, ka klube që kanë menduar dhe i kanë ndarë gjërat për të përballuar një krizë të mundshme, por këtu te ne, është ndryshe dhe i vuajmë këto gjëra”, përfundoi Salihu./abcnews.al