A po cënojnë privatësinë aplikacionet për gjurmimin e të prekurve me COVID-19?

schedule10:35 - 3 Prill, 2020

schedule 10:35 - 3 Prill, 2020

Në një kohë kur pandemia e koronavirusit kërcënon njerëzimin e mjekësia është në luftë me kohën për të gjetur një vaksinë e një kurë efektive, krerët e shteteve i kanë kthyer sytë nga teknologjia në kërkim të mjeteve për të frenuar sa më shumë të jetë e mundur përhapjen e infeksionit. Si përgjigje, ekspertët e teknologjisë së informacionit krijuan aplikacionet e gjurmimit të të prekurve nga COVID-19, bazuar në ekperiencën e vendeve aziatike si Kina që përmes gjurmimit të kontakteve falë sistemit të mbikqyrjes të popullsisë, arriti të ulte me sukses kurbën e infektimit.

Koreja e Jugut, Irani, Rusia, SHBA-ja (New York), Polonia, Singapori e disa shtete të tjera kanë nisur ose janë në nisje të procedurave të gjurmimit të të infektuarve nëpërmjet aplikacioneve, gjë që po ngre një tjetër shqetësim të madh: atë të shkeljes së privatësisë.

Nëpërmjet disa prej këtyre aplikacioneve, qeveria ose edhe publiku kanë akses të vëzhgojnë çdo lëvizje që kryejnë mbajtësit e aplikacionit, duke i shndërruar qytetarët në pjesë të një sistemi monitorimi të ngjashëm me “Big Brother”, çka mund të rezultojnë në një mori problematikash të tjera.

Një masë e tillë është propozuar dhe në Gjermani ku ndjeshmëria ndaj privatësisë është maksimale për një komb që ka përjetuar tmerret e diktaturës naziste.

Aplikacioni në fjalë supozohet të dërgojë njoftime në momentin që një person diagnostikohet me COVID-19, drejt aplikacioneve në celularët e njerëzve me të cilët ky person ka pasur kontakt përgjatë një periudhe 2-javore. Për të garantuar përdorimin e duhur të këtyre të dhënave, ato supozohet të ruhen  vetëm për një periudhë të përcaktuar kohore dhe më pas të fshihen. Një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga publiku gjerman.

Në kuadër të këtyre shqetësimeve, një grup europian studiuesish e ekspertësh të teknologjisë së informacionit, është mbledhur për të krijuar një teknologji gjurmimi të kontakteve, që të jetë konform ligjeve të privatësisë në kontinent. Një gjurmim i ngjashëm me metodën e aplikuar në Kinën komuniste është sigurisht i vështirë për t’u imagjinuar në vendet europiane, ndaj projekti “Pan-European Privacy-Preserving Proximity Tracing”, synon të sjellë një qasje tjetër.

Ideja thelbësore qëndron në përdorimin e teknologjisë Bluetooth, që bazohet në anonimatin e kontakteve dhe afërsinë e tyre fizike.

Hans-Christian Boos, një nga ideatorët e projektit, është shprehur për “Der Spiegel”: “Ne nuk mbledhim të dhëna mbi vendndodhjen apo mbi lëvizjen, nuk mbledhim informacione të kontakteve dhe as tipare të identifikueshme të pajisjeve.”

Sipas “Der Spiegel”, ky qendrim do të thotë se aplikacionet që ndjekin këtë standart, gjenerojnë ID të përkohshme, për të penguar identifikimin e individëve. Dy ose më shumë celularë që kanë një aplikacion të tillë, kur janë në afërsi dhe kanë të aktivizuar Bluetooth, shkëmbejnë këto ID të përkohshme që i ruajnë në formë të koduar.

Nëse një përdorues diagnostikohet me koronavirus, doktori mund t’i kërkojë të dhënat e mbledhura nga aplikacioni, të cilat transferohen në një server qendror. Më tej, doktori do të kishte mundësinë që të përdorë sistemin për të njoftuar kontaktet e të prekurit se mund të jenë gjithashtu të infektuar. Në këtë mënyrë, bartësit potencialë të virusit, me ose pa simptoma, do të mund të kërkonin të testoheshin ose të vetëizoloheshin.

Skeptikët gjithësesi kanë ngritur pikëpyetje të tjera lidhur me sigurinë e këtij projekti, megjithatë, aplikimii i një procedure të tillë të standartizuar në të gjithë Europën, do të lejonte gjurmimin edhe përtej kufijve, duke lënë më tej procesin e mënyrës së njoftimit të kontakteve të prekur, në dorë të secilit shtet./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!