Fëmijët me çrregullime të spektrit autik, apo ata me sindromën down, punojnë shumë gjatë për të ndërtuar marrëdhënie me të tjerët. Tani, në izolim të gjitha këto ura të ndërtuara me mund disa vjeçar, rrëzohen.
Muenisi është 16-vjeç dhe sfidën e tij këto ditë na e rrëfen e ëma.
“Vetë autizmi është vetëizolim, por nuk pranon ta izolojnë të tjerët. Djali im i cili është me autizëm, ka edhe një problematikë tjetër që është humbja e dëgjimit dhe si pasojë e kësaj nuk flet. Komunikimi me të është shumë i vështirë.
Është shumë e vështirë të komunikosh me të dhe ti shpjegosh që kemi një virus që na shkakton probleme. Të gjithë rutinën që e kishte të përditshme ai e kërkon me ngulm.
Në momentin që nuk arrijmë t’ja realizojmë, ai bëhet agresiv edhe me mjekët, edhe me familjarët. Çdo 10 minuta kërkon të shkojë diku. Shpresojmë që kërkesa që ne si prindër i kemi bërë qeverisë, për të marrë leje, për një orë të caktuar për të nxjerrë fëmijët jashtë, që të paktën të largojnë disi energjinë negative që kanë akumuluar nga kjo situatë”, tregon ajo.
Emanuela Zaimi nga Fondacioni “Down Syndrome Albania”, Qendra e Shërbimeve PRO PAK, tregon sfidat e forta me të cilat po përballen këto familje.
“Distancimi social, izolimi në shtëpi rrit stresin ankthin dhe pasigurinë tek fëmijët. Ndryshimi i menjëhershëm i rutinës te fëmijët i ka prishur ekuilibrat të cilat kanë dashur kohë të realizohen.
Mungesa e aktiviteteve të përditshme, mungesa e terapisë rrisin në masë edhe sjellje jofunksionale. Pritet që të ketë një regres të madh pas këtij izolimi.
Për të pasur një sukses të gjithë prindërit duhet të ndërtojnë një rutinë ditorë. Kjo situatë nuk është e lehtë. Gjatë gjithë kohës ne mundohemi ti mësojmë atyre aftësi socilizimi. Fakti që këto ditë kanë kontakt vetëm me familjen e ngushtë do të sjellë shumë ankth bashkëpunimi mes fëmijëve me mësuesin do të jetë shumë i vështirë”, u shpreh ajo.
Jamarbëri është një nga fëmijët që ju është përgjigjur më mirë terapive dhe ka arritur rezultate, por ai ka nevojë për botën jashtë 4 mureve.
“Jam mërzitur shumë sepse më ka marrë malli për shoqet”, thotë ai.
Prindërit e tij, Majlinda dhe Kujtimi, po ja dalin, pavarësisht vështirësive.
“Këtë vit 2 prilli na gjeti të izoluar, kemi pothuajse 1 muaj që jemi karantinuar. Kalojmë ditë të vështira si të gjithë njerëzit, por për ne menaxhimi i autizmit në momentet që fëmija del nga rutina, bëhet më i vështirë, por me Jamarbërin kjo situatë ka qenë më e lehtë”, shprehet ajo.
Xhensila Xhelili, është një nga psikologet e klinikave të zhvillimit që punon me fëmijët me të tilla probleme. Ajo ka disa këshilla për prindërit që mund të relaksojnë fëmijët në kushte shtëpie.
“Përcaktimi i një tavoline specifikisht për detyrat e shkollës, mjetet e punës duhet të jenë në atë tavolinë. Fëmijët me autizëm kanë nevojë të kenë një rutinë specifike.
Ata duhet të dinë në formën e nje tabele planin e ditës. Është e nevojshme që parimet të cilat janë marrë është e rëndësishme që të aplikohen edhe në shtëpi”, sqaroi Xhelili.
Prindër të ndryshëm kanë vështirësi të ndryshme, secili në varësi të nivelin të reagimit të fëmijëve të tyre. Megjithëkëtë, më shumë se gjithçka, ata kanë nevojë të pranohen si të barabartë, që autizmi apo sindroma down të mos etiketohen si sëmundje. Këta fëmijë janë heronjtë e tyre!/abcnews.al