Lysien Nurishmi, shefi i Sektorit të Garave në FSHF, ka folur në lidhje me kampionatin shqiptar. “Dje ka pasur një video-konferencë me UEFA dhe janë dhënë direktivat e reja. Kërkohet të mbyllet kampionati në fund të korrikut dhe maksimalisht deri më 3 gusht.
Varianti më i mirë është të vazhdojë javën e parë të qershorit. Më i keqi është në fund të qershorit dhe pastaj do ketë ndeshje në 4 ditë. UEFA do të dijë kush merr pjesë në kupat e Europës”, tha Nyrishmi në emisionin Fan Zone në Supersport.
Ishte menduar të nisë nga mesi i muajit maj dhe mbetet si opsion, në varësi të situatës së krijuar. Nëse jepet “ok” që të vijojë jeta normalisht, atëherë mund ta nisim. UEFA e ka parë që mundësia më e mirë është që të nisë javën e parë të qershorit. Kur të kemi një datë të përafërt, atëherë do njoftojmë klubet që dt stërviten për rreth dy javë para se të rinisë kampionati. Çdo gjë është në dorë të virusit.
“Kupa? Është një opsion që e kemi diskutuar edhe me klubet. Jemi në çerekfinale dhe me llogari janë edhe pesë ndeshje. Duke para ngjeshjen, pasi janë edhe 10 javë kampionat, kupa mund të luhet me ndeshje teke në fushë asnjanëse. Kështu bëhen tre ndeshje. Ky është një variant. Nëse nis javën e parë të qershorit, nga llogaritë kampionati mbaron më 20 korrik”.
“Kriza financiare? Jemi në kontakt me drejtuesit e klubeve dhe trajnerët, edhe pse kampionati është ndalur. Të gjithë, futbollistë, trajnerë, presidentë, janë të shqetësuar për anën financiare. Zgjatja e kampionatit bën që të ketë edhe më shumë pagesa. I kemi kërkuar edhe më parë qeverisë ndihmë. Kemi pasur edhe një tryezë të rrumbullakët një javë më parë. Edhe në periudhë normale kemi kërkuar ndihmë. Kjo është periudha më e vështirë.
Është në të mirë të gjithëve të jetë në paketën e qeverisë, çdo kategori. Kemi edhe 1100 skuadra moshash, edhe aty ka shumë trajnerë. Nuk kanë përfitime të tjera. Qeveria duhet ta rishikojë mundësinë për t’i përfshirë të gjithë aktorët e sportit. Rrogat e lojtarëve, shumicës, janë normale. FSHF do t’i ndihmojë klubet, normalisht”.
“Anulimi i sezonit? Deri tani jemi të gjithë dakord që kampionati të nisë sërish, më 31 maj, 1 qershor. Nuk ka kërkesë për ta mbyllur. Janë vetëm 10 ndeshje. Ka kampionate të tjera ku ka më shumë ndeshje. Takimet e mbetura është mirë të zhvillohen. Nuk mund të quhet i dështuar ky sezon, pasi jemi në fund. Mundësia është që të nisim dhe UEFA ndaj e bëri këtë zhvendosje”.
“Kontratat që mbarojnë në qershor? Vendos FIFA, ata kanë përgatitur një draft. Do të ketë një spostim të merkatos. Normalisht nis në korrik. Do ketë hapësirë më shumë për të lëvizur. Do të ketë një spostim deri në fund. Gjithsesi nuk ka akoma asnjë shkresë nga FIFA. Do ketë vendime që lojtarët të mos mbeten në pambrojtur”./abcnews.al