GRAFIKËT/ Shqipëria ka vdekshmërinë më të lartë në rajon mes të prekurve nga koronavirusi

schedule20:37 - 1 Prill, 2020

schedule 20:37 - 1 Prill, 2020

E gjithë bota është e paralizuar nga koronavirusi i ri COVID-19. Edhe rajoni i Ballkanit është pjesë e luftës globale kundër “armikut të padukshëm”.

ABC News mblodhi të dhëna për pasojat e kësaj “lufte”, duke i analizuar të gjitha sipas  jetëgjatësisë së popullsisë, përbërjen familjare dhe të ardhurat për banorë në secilin shtet në rajon, pra në Ballkan.

Sipas grafikut, shihet se shkalla e vdekshmërisë në Shqipëri, në raport me numrin e të prekurve nga COVID-19 për rastet pozitive, është më e larta në rajon.

Shqipëria ka edhe shkallën më të madhe të personave të shëruar nga të gjithë ata që janë prekur nga koronavirusi. Madje në shkallë ndjeshëm më të lartë se të gjithë vendet e tjera në rajon.

Në grafiket që ABC News ka ndërtuar janë përfshirë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Greqia, Kroacia. Të dhënat janë marrë nga WorldoMeters.

Sipas këtij grafiku, shihet se sa më e moshuar të jetë popullsia aq më e lartë është shkalla e sëmundshmërisë nga sëmundjet  jongjitëse (tension i lartë i gjakut, zemër, diabet, etj) që e ulin imunitetin kundrejt viruseve të ndryshme. Jetëgjatësinë më të lartë e ka Greqia me 83 vite. Në Shqipëri jetëgjatësia është 78,9 vjeç.

Për sa i përket përbërjes familjare, treguesit shënojnë se familja mesatare në Shqipëri ka 3,8 vetë, duke bërë që Shqipëria të jetë vendi me familjen më të madhe.

Sa më e madhe të jetë familja aq më e vështirë është të realizohet distancimi social.

Nëse do marrim parasysh të ardhurat për banor, shohim se më të larta janë në Greqi me 20,317 USD. Më të ulëtat janë në Shqipëri me 5,240 USD.

Të ardhurat për banor japin një vlerësim të tërthortë për nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit e për rrjedhorë mund të arsyetohet edhe për shkallën e gadishmërisë së vendit për të reaguar në raste emergjencash kombëtare edhe pse kjo e kësaj here është një situatë e paparë.

Shenjat e para të COVID 19 nuk janë shfaqur njëherësh në të gjithë vendet. Prej 37 ditësh është shfaqur në Kroaci dhe në Maqedoninë e Veriut. Në Shqipëri është shfaqur prej 25 ditësh. Në grafikët në vijim përbri emrit të çdo vendi është shënuar edhe numri i ditëve të epidemisë me qëllim që çdo lexues të mbajë parasysh edhe periudhën e epidemisë.

Që nga fillimi i epidemisë, çdo ditë janë zbuluar mesatarisht 48,4 raste në Greqi dhe 10,4 në Shqipëri.

Por rastet e reja varen të paktën edhe nga përmasa e popullsisë, edhe nga koha që kur është shfaqur rasti i parë. Në pamundësi për të ndërtuar një tregues të përbërë që i jep një peshë të caktuar popullsisë dhe kohës së përhapjes së epidemisë, krahasimi mund të bëhet me numrin e rasteve pozitivë për çdo 1 milionë banorë të vendit përkatës.

Kroacia është vendi me numrin më të madh të personave pozitivë për 1 milion banorë, me 235 persona. Por është edhe vendi që epidemia ka filluar prej 37 ditësh.

Shqipëria ka 90 persona pozitivë për 1 milion banorë për një periudhë prej 25 ditësh nga fillimi i epidemisë edhe pse teorikisht është e pamundur pamundur të dihet saktësisht numri i personave pozitivë, qoftë edhe për faktin që vende të ndryshme mund të kenë qasje të ndryshme në mënyrë e kryerjes së testimeve.

Po të vlerësojmë numrin e të vdekurve sipas popullsisë së vendit përkatës shohim se Shqipëria ka 5,27 të vdekur për 1 milion banorë për 25 ditë nga fillimi i epidemisë ndërkohë që Greqia e ka këtë tregues 4,8 vetë.

Shkalla e vdekshmërisë për rastet pozitivë sipas grafikut është më e lartë në Shqipëri me 4,7 %.

Shqipëria ka edhe shkallën më të madhe të personave të shëruar me 25,9 % të të gjithë personave pozitivë.

Për çdo person të vdekur në Kroaci janë 12,2 persona të shëruar ndërkohë që në Shqipëri janë 4,5 persona të shëruar për çdo person të vdekur.

Midis të sëmurëve me Covid-19 ka edhe disa që janë në gjendje kritike. Në Greqi janë në gjendje kritike 6,9 % e rasteve pozitive aktive. Në Shqipëri janë në gjendje kritike 4 % e rasteve pozitive aktive.

Deri ditën e sotme në Shqipëri janë konfirmuar gjithsej 259 të prekur nga Covid-19, ndërkohë që janë shëruar 67 persona.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!