Në Bjellorusi janë marrë shumë pak masa për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Qytetarët po nxiten të pijnë vodka dhe të bëjnë sauna nga vetë presidenti i vendit.
Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, i ka injoruar paralajmërimet për Covid-19 dhe e demonstroi këtë më së miri të dielën, pasi lejoi që ndeshjet e futbollit të vijonin si normalisht. Në dallim nga shtetet e tjera që i kanë udhëzuar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, bjellorusët fërkoheshin dhe gëzonin si të ishte një fundjavë si gjithë të tjerat.
Nga imazhet e siguruar nga Sky news vihen re se po zbatohet vetëm disa masa, por nuk po ruhet distanca nga të tjerët. Tifozët iu nënshtruan matjes së temperaturës para se t’u lejohej hyrja në stadium. Një numër i vogël prej tyre mbanin maska, por sidoqoftë, qëndronin ngjitur me të tjerët.
Organizatorët thanë se s’kanë ndërmend të shtyjnë ndeshjet apo të anullojnë sezonin. Udhëheqësi i vendit gjithashtu ka lënë të kuptohet se dëshiron që eventet sportive të mbahen edhe në këtë periudhë.
Presidenti Alexander Lukashenko mori pjesë në një ndeshje hokej në akull të shtunën e kaluar dhe deklaroi se sporti “është kura më e mirë kundër virusit.”
Gjatë ndeshjes, i tha një gazetari: “Më mirë të vdesësh në këmbë, se të jetosh në gjunjë.”
Kur u pyet në do ta tërhiqte gjë nga loja, Lukashenko tha: “Ka mundësi, por pse? S’e kuptoj. S’ka viruse këtu. Shihni ndonjë virus vërdallë? Unë s’shoh gjë. Ky është një frigorifer.”
Deri më tani, janë raportuar 94 raste me koronavirus në Bjellorusi. Shteti ish-sovjetik ka një popullsi prej 9.5 milionë banorësh.
Javët e fundit, presidenti Lukashenko ka këshilluar që qytetarët të pijnë 50ml vodka në ditë për të larguar virusun, por jo kur janë në punë. Këshilla këto, që bien ndesh me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit.
Gjithashtu, Lukashenko tha se saunat, puna dhe konsumimi i mëngjesit në kohë janë mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin.
Ai shtoi se Bjellorusia do të festojë Ditën e Fitores më 9 maj – një festë ku veteranët e Luftës së Dytë Botërore parakalojnë në rrugë. Fakti që moshat e mëdha janë më të rrezikuar nga koronavirusi nuk përbën asnjë ndryshim për Lukashenkon.
Sipas Agjencisë Telegrafike Bjelloruse, presidenti tha: “Nuk do të anullojmë asgjë. Do t’i mbajmë të gjitha festat. Le të na mbrojë Zoti nga koronavirusi.”/abcnews.al