Në Bjellorusi nuk duan t’ia dinë, futbolli vazhdon dhe Bakaj sërish protagonist

schedule22:41 - 29 Mars, 2020

schedule 22:41 - 29 Mars, 2020

Elis Bakaj ishte protagonist në fitoren e skuadrës së tij në Bjellorusi, ku kampionati i futbollit vazhdon pavarësisht koronavirusit. Premier Liga bjelloruse është turneu i vetëm në Europë që ende luhet, madje me spektatorë

Nuk deshën t’ia dinë përsëri. Elis Bakaj ishte në fushë, madje vendimtar, ndërsa Premier Liga e Bjellorusisë vazhdoi të luhej edhe këtë fundjavë, ndryshe nga e gjithë Europa.

Sulmuesi shqiptar asistoi golin e vetëm të Dinamos së Brestit, kampiones bjelloruse në fuqi, që triumfoi minimalisht 1-0 në fushën e Sluckut, në javën e dytë të turneut.

Publiku, edhe pse i paktë, sërish ishte i pranishëm në të gjithë stadiumet, me republikën e Europës Lindore që e habiti sërish të gjithë botën e tronditur nga epidemia e koronavirusit.

Televizioni dha direkt ndeshjen mes Sllavia së Mozirit dhe skuadrës më të shquar në vend, BATE-s së Borisovit, e cila u ndoq nga mijëra spektatorë në tribunën kryesore.

Ekipi i Bakajt, Dinamo e Brestit, është në vendin e katërt me 4 pikë, dy më pak se kreu. Presidenti Aleksandër Lukashenko njihet për qëndrimin e tij sfidues ndaj epidemisë, ndërsa një ditë më parë ai hodhi një hap më shumë.

Ndërsa mori pjesë në një turne hokeji në akull, Lukashenko u shpreh se “më mirë të kesh një vdekje dinjitoze, sesa të jetosh në gjunjë”. Televizionet bjelloruse, padyshim edhe në përputhje me linjën zyrtare, I bënë jehonë veçantisë së vendit të tyre.

Televizioni shtetëror, ONT, pati një pasqyrim të kampionatit, nën titullin “faleminderit futboll”, duke e shoqëruar me muzikë nëpër parqet e Minskut, me pamjet e tifozëve drejt stadiumeve, dhe kontrolleve mjekësore për koronavirusin.

Nuk dihet nëse Lukashenko dhe Bjellorusia do ta ndryshojnë qëndrimin, por për momentin republika ish-sovjetike ka 100 raste të sëmurësh, me asnjë humbje jete./abcnews.al