Qendrat shëndetësore të kryeqytetit nuk po funksionojnë si para dy javëve kur shihej dyndje qytetarësh për të marrë shërbimin e nevojshëm. Përhapja e Covid-19 i ka boshatisur këto qendra. Shërbimi nga stafi mjekësor ofrohet përmes telefonit. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore numër 3, Benereta Hoxha tregoi për Abc News si kryhet shërbimi.
“Të gjithë pacientët duhet të dinë se kur ka një shqetësim në radhë të parë duhet të drejtohen te mjeku i familjes. Në rast se janë të sëmurë kronikë dhe ndiqen nga mjekët specialistë dhe kanë një sëmundje specifike kontaktojnë edhe mjekun tonë dhe e marrin mendimin e tyre nga telefoni pa pasur nevojë të vijë fizikisht. Vinë fizikisht vetëm kur kanë nevojë të shikohen”, shprehet ajo.
Po në rastet e urgjencave si funksionon?
“Raste urgjente janë ato që mund të jenë vërtet urgjenca ne sigurisht q ëi kemi zgjidhur. Kemi bërë ekzaminimin për një rast urgjent. Duhet që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të mos vinë për analizat që janë rutinë, por vetëm për rastet kur kanë urgjencë”, shprehet drejtoresha.
Qytetarët që e kanë të domosdoshme ardhjen në këtë qendër nuk mund të hyjnë direkt aty. Fillimisht, në hyrje ku qëndron një personel, bëhet dezinfektimi i duarve, pajisja me maskë dhe matja e temperaturës.
“Pasi vendoset termometri kanë apo jo temperaturë, dhe pastaj bën dezinfektimin te dera e klinikës pacienti dhe pastaj ngjitet lart. Të gjithë mjekët kanë qenë në punë”, thotë ajo.
Në dallim nga poliklinikat e tjera, në Qendrën Shëndetësore funksionojnë komisionet për dhëninen e raporteve për pacientët. /abcnews.al