Paolo Maldini është prekur nga COVID-19, sikurse edhe djali i tij Daniele. Prej më shumë se dy javësh ai është mbyllur në shtëpi dhe po tenton ta mposhtë këtë sëmundje, që legjenda e Milanit thotë që nuk është si një grip normal. Zyrtari i kuqezinjve tregon si e zbuloi gjithçka atë që po i ndodh një mikut të tij, që është shtuar në spital.
“Jam mirë, momentet më të këqija kanë ikur. Kam ende një kollë të thatë dhe nuk shijoj asgjë. Ishte një grip i shëmtuar, nuk është normal si të tjerët. Unë e njoh trupin tim, një atlet e njeh veten dhe dhimbjet janë të forta. Pastaj ndjen një si shtypje në gjoks. Është një virus i ri dhe trupi lufton kundër një armiku që nuk e njeh”, tregon Maldini në intervistën për “Corriere della Sera”.
Më tej ai shton: “Simptomat e para i kam ndjerë me 5 mars. Kisha dhimbje në muskuj dhe në nyje. Kurrë nuk kam pasur temperaturë më të lartë se 38.5 gradë. Duhet të shkoja të nesërmen në Milanello, por mbeta në shtëpi. As në takimin kundër Genova nuk isha.
Gjatë asaj kohe mora vetëm tachipirin. Kurrë nuk ka pasur probleme me frymëmarrjen. S’i kisha parë lojtarët për 14 ditë dhe asnjë prej tyre nuk është pozitiv. I përmbahemi rreptësisht rregullave të vendosura”.
“Të martën e kaluar erdhën doktorët me maska e doreza dhe para dy ditësh me erdhi përgjigja e testit. Isha me COVID-19. E dija që e kisha, nuk ishte grip si të tjerët. Normalisht shqetësohesh. Një mik i imi kishte probleme me frymëmarrjen, është në spital dhe nuk fle, ka makth. Kam qenë më me fat, po qëndroj i mbyllur me familjen time prej 18 ditësh”, përfundon Maldini. /abcnews.al