Koreja e Veriut ka anuluar në momentet e fundit një takim sekret me zëvendëspresidentin amerikan, Mik Pence, i cili do të zhvillohej në Korenë e Jugut. Arsyeja e këtij anulimi ka të bëjë me njoftimin e sanksioneve të ashpra nga Uashingtoni kundër Penianit.
Mike Pence ishte nisur për në Lojërat Olimpike Dimërore të Koresë së Jugut me një marrëveshje për t’u takuar në mënyrë sekrete me përfaqësues të Koresë Komuniste. Por me 10 Shkurt, më pak se dy orë përpara se zëvendëspresidenti amerikan dhe ekipi i tij të ishin gati për të takuar Kim Yo Yong, motrën e liderit supreme Kim Jong-un dhe Kim Jong Nam, kreun ceremonial të shtetit koreanoverior, delegacioni i Penianit kishte bërë një hap prapa. Kjo raportohet nga Uashington Post, që citon zyrën e Pence.
Sipas të përditshmes, tërheqja e Penianit ka ardhur pasi zëvendëspresidenti amerikan kishte denoncuar gjendjen e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut dhe ambiciet bërthamore të saj, duke njoftuar sanksione më të ashpra dhe përforcimin e aleancës me Korenë e Jugut dhe Japoninë. Zyrtarisht, ekipi i Pence e ka përkufizuar udhëtimin në Pejongçang si një tentativë për të luftuar qëllimin e Koresë Komuniste për të përdorur Olimpiket për qëllime propaganda dhe ka shpjeguar se anulimi i takimit tregon suksesin e këtij misioni.
Sipas një burimi të Shtëpisë së Bardhë për mediat amerikane, takimi është organizuar pasi CIA kishte lajmëruar se koreanoveriorët dëshironin të bisedonin me Pence, ndërsa Seuli do të kishte rolin e ndërmjetësuesit. Vendi i zgjedhur për takimin e fshehtë ishte “Blue House”, rezidenca e presidentit të Koresë së Jugut. Zhvillimi i këtij takimi është diskutuar edhe në Shtëpinë e Bardhë ku përveç presidentit Donald Trump, të pranishëm ishin një sërë drejtuesish përfshirë këshilltarin për sigurinë kombëtare McMaster shefin e Stafit Presidencial, Jhon Kelly, ndërsa kreu i CIA-s, Mike Pompeo, ishte prezent me anë të një lidhje telefonike./abcnews.al