Italia është vendi i parë në Evropë që po përballet me pasojat fatale të koronavirusit. Kina që ishte dhe vendi i parë që u përball me betejën e COVID 19 duket se do të vijë në ndihmë të Italisë duke dërguar një grup ekspertësh.
Së fundmi presidenti kinez Xi Jinping ka bërë të ditur se Kina do të dërgojë më shumë ekspertë mjekësorë në Itali dhe do të sigurojë më shumë ndihmë në luftimin e koronavirusit të ri. Në një telefonatë me kryeministrin italian Giuseppe Conte, Xi Jinping, tha se Kina e mbështet fuqimisht Italinë dhe ka besim të plotë në fitoren e saj mbi pandeminë.
Ai shprehu edhe gatishmërinë e Kinës për të punuar me Italinë për të kontribuar në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër COVID-19. Conte tha nga ana e tij se arritjet e Kinës në kontrollin e sëmundjes kanë shërbyer si pikë referimi për Italinë dhe vendet e tjera, dhe e falënderoi Kinën për ndihmën dhe mbështetjen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, ka bërë të ditur se nëntë ekspertët mjekësorë të dërguar në Itali filluan punën e tyre menjëherë pas mbërritjes në Romë:
“Ekspertët kanë ndarë përvojë me Ministrinë italiane të Shëndetësisë, Kryqin e Kuq Italian, Institutin e Përparuar Italian të Shëndetësisë dhe Spitalin Kombëtar për Sëmundjet Infektive të Romës për trajtimin e pacientëve, përdorimin e ilaçeve dhe kontrollin e infeksionit brenda spitaleve, në përputhje me situatën pandemike në Itali“.
Ai shtoi se ekspertët kinezë shkëmbyen ide me punonjësit mjekësorë italianë se si të rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e publikut dhe stafit mjekësor. Ata më pas do të nisen për në veri të Italisë, që është prekur më rëndë nga pandemia./abcnews.al