Skënderbeu dha një provë të madhe force në Superligën shqiptare. Kryesuesit triumfuan në fushën e vështirë të Kamzës, vetëm pak ditë pas lajmeve për një përjashtim të mundshëm nga kupat e Europës.
Skandalet janë aty prej vitesh e mund të paguhen shtrenjtë, por karakteri nuk mungon.
Përkundrazi, Skënderbeu duket i pandjeshëm ndaj asaj që ndodh rreth e rrotull dhe ndaj rrezikut aspak të vogël që i kanoset, duke fituar pikërisht atëherë, kur mendohej se mund të dorëzohej.
Në një sfidë tepër të vështirë në fushën e Kamzës, vetëm pak ditë pas lajmeve për një përjashtim të mundshëm 10-vjeçar nga kupat e Europës, korçarët morën maksimumin.
Triumfuan 2-1 në fushën e asaj skuadre që i kishte marrë dy barazime, ndërsa diferencën të paktën për golat e bëri një futbollist i larguar si i padëshiruar nga Partizani.
Emiliano Vila shënoi dy golat dhe skuadra e Ilir Dajës fitoi me përmbysje duke vazhduar të jetë i shkëputur ndjeshëm në krye të renditjes.
Në një kohë që Partizani po vuan për të shënuar golat, rrjeta tjetër në stadiumin e Kamzës, ajo e vendasve, u shënua nga një tjetër futbollist i larguar nga të kuqtë.
Realdo Fili kaloi në epërsi skuadrën e trajnerit Ramadan Ndreu, avantazh që nuk u arrit të shfrytëzohej deri në fund.
Kryesuesit e kampionatit patën epërsi të madhe pas pësimit të golit duke iu afruar shpesh barazimit, pra duke mos u dorëzuar për asnjë moment.
Gjithsesi, pas epërsisë 2-1, korçarët u detyruan të përballonin reagimin e vendasve që fare mirë mund të kishin barazuar.
Me këtë sukses, Skënderbeu u ngjit në nivelin e 46 pikëve, duke iu afruar gjithnjë e më shumë objektivit kryesor të sezonit, titullit kampion, edhe pse duhen edhe 16 javë deri në përfundim të Superligës./abcnews.al