Ju lutemi qëndroni në shtëpi, ne do t’ju informojmë për gjithçka!

schedule15:31 - 13 Mars, 2020

schedule 15:31 - 13 Mars, 2020

Disa muaj më parë koronavirusi dukej sikur ishte “problem” për Kinën e largët. Por gjithsesi, një virus që shpërndahet me një lehtësi dhe shpejtësi kaq të madhe nuk mund të ishte problem i vetëm një shteti.

Virusi nisej të përhapej me shpejtësi në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas dhe tashmë pas më shumë se dy muajsh, OBSH ka shpallur pandeminë.

Që pas 9 marsit edhe shqiptarët po kalojnë ditë të vështira, përpara kemi një “luftë” përballë një armiku që nuk mund ta shohim por e kemi parë me sytë tanë tashmë se çfarë dëmi mund të bëjë.

Gjatë ditës së sotme (13 mars) u regjistruan dhjetë raste të reja me koronavirus duke e çuar kështu numrin total në 33, ndërsa një e moshuar për fat të keq nuk arriti ta mposhte infeksionin dhe ndërroi jetë në spitalin e Durrësit.

Rastet pritet të shtohen dita ditës, vendi për dy ditët në vazhdim do të jetë në “shtetrrethim”, ndërsa qytetareve u është kërkuar që të qëndrojnë brenda dhe të mos dalin nëse nuk e kanë shumë të nevojshme.

Situata është e vështirë për të gjithë, frika lexohet në sytë e njerëzve, por sakrificën më të madhe po e bëjnë bluzat e bardha që ndodhen në frontin e parë të kësaj beteje të cilin ne do mundohemi ta fitojmë me çdo kusht! Mjekët dhe dhe infermieret po vetë-sakrifikohen duke u përballur direkt me rrezikun për të çuar përpara detyrën e tyre humane.

Duke respektuar dhe përshëndetur përpjekjet e tyre, ABC NEWS falenderon heronjtë e vijës së parë, ne i shprehim mirënjohje personelit të reparteve Infektive dhe u themi se: Me JU do t’ia dalim!!!

ABC NEWS falenderon mjekët, infermierët dhe trupën në terren: Mirënjohje për sakrificat tuaja!!!

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, ABC NEWS u bën apel qytetareve: Ju lutemi qëndroni në shtëpi, ne do ju informojmë për gjithcka!

Nese nuk mendoni për veten, mendoni për prindërit, për gjyshërit dhe të afërmit tuaj që mund të jenë më të rrezikuar se vetë ju. Ky është momenti që të gjithë të tregojmë përgjegjshmëri, pjekuri dhe guxim! /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!