Bayer Leverkusen konfirmon formën e mirë edhe në Europa League. “Aspirinat” fituan 1-3 në fushën e Rangers, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në çerekfinalet e Europa League. Miqtë zhbllokuan ndeshjen në fundin e pjesës së parë.
Kai Havertz u tregua i saktë nga pika e penalltisë, ndërsa Aranguiz dyfishoi shifrat në mesin e pjesës së dytë. Florian Kamberi u fut në fushë në minutën e 54-t për skocezët, të cilët reaguan dhe shkurtuan rezultatin me anë të Edmundson. Mbrojtësi shënoi me kokë në minutën e 75-të, por xhamajkani Bailey realizoi një gol shumë të bukur dy minuta përpara fundit, duke vulosur fitoren 1-3 të skuadrës gjermane.
Shakhtar Donetsk mbetet një ekip shumë i fortë në Europë. Ukrainasit morën një fitore të rëndësishme në fushën e Wolfsburg. Ndeshja u mbyll 1-2 për miqtë, teksa të dy skuadrat humbën nga një penallti në pjesën e parë.
Pa fitues u mbyll dueli mes Olympiacos dhe Wolves. Skuadra nga Pireu luajti me një lojtar më pak prej minutës 29-të (Semedo u ndëshkua me të kuqe), por kaloi e para në avantazh në fillimin e pjesës së dytë.
Marokeni El Araby kaloi Olympiacos në avantazh, por “Ujqërit” barazuan ndeshjen me anë të Neto në minutën e 67-të. Portugezi i ardhur nga stoli u tregua i saktë nga goditja e dënimit dhe i dhuroi një barazim të rëndësishëm skuadrës angleze. /abcnews.al
Olympiacos-Wolves 1-1
(El Arabi 54′ / Neto 67′)
Rangers-Bayer Leverkusen 1-3
(Edmundson 75′ / Havertz (pen) 37′, Aranguiz 67′, Bailey 88′)
Wolfsburg-Shakhtar Donetsk 1-2
(Brooks 48′ / Moraes 17′, Antonio 73′)