Koronavirusi po shfaqet edhe në vende të botës ku nuk kishte mbërritur deri tani dhe shqetësimi prej sëmundjes është i madh, ndërsa nuk ka ende një kurë për të.
BBC shkruan se nuk funksionojnë as disa këshilla shumë të përhapura të kthyera gati në mite për shërimin e këtij virusi që tashmë ka marrë përmasa botërore. Ato më të përhapurat online nisin nga hudhra.
Facebooku është mbushur me postime sipas të cilave, konsumi i hudhrës parandalon infeksionin. OBSH-ja thotë se është vërtet një ushqim i shëndetshëm me disa aftësi antimikrobiale, por nuk mbron nga virusi i ri. “South China Morning Post” solli dhe historinë e një gruaje që u shtrua në spital me inflamacion të rëndë të fytit, pasi kishte konsumuar 1.5 kg hudhra.
Një figurë e njohur në YouTube, Jordan Sather, i cili ka me mijëra ndjekës në platforma të ndryshme, doli me pretendimin se një “suplement i mrekullueshëm me minerale”, i quajtur MMS, e zhduk koronavirusin. Ky suplement përmban dioksid klori, e sipas Sather, e shkatërron koronavirusin. Por BBC thotë se administrata amerikane e ushqimit dhe ilaçeve paralajmëroi mbi rrezikun e konsumit të MMS-së, dhe vende të tjera kanë lëshuar këshilla të ngjashme.
Nuk bëjnë punë as dezinfektuesit e duarve të krijuar në kushte shtëpie.
Disa kanë nisur të përdorin argjend koloidal. Dikush doli me pretendimin se kjo pije me grimca argjendi arrin ta shkatërrojë koronavirusin për 12 orë. Por autoritetet shëndetësore amerikane pretendojnë se jo vetëm nuk ka të dhëna që argjendi koloidal vepron, siç thuhet, si antiseptik e ndihmon imunitetin e trupit, por përkundrazi, ai mund të shkaktojë dëme të mëdha sidomos për veshkat.
Nuk ka asnjë efekt kundër koronavirusit konsumi i ujit çdo 15 minuta gjoja për të larguar Covid 19.
Nuk ndihmon as nxehtësia, të paktën këtë thonë mjekët, të cilët e kanë hedhur poshtë informacionin e rremë të shpërndarë në mënyrë abuzive në emër të Unicef-it, sipas të cilit kush pi ujë të nxehtë, ekspozohet në diell dhe shmang akulloret, shpëton nga koronavirusi./abcnews.al