Për shkak të situatës së përhapjes të koronavirusit në Itali, papa Françesku nuk do t’i bëjë shërbimet e së dielës si zakonisht.
Këtë të diel Ati i Shenjtë nuk do t’i drejtohet turmës që nga dritarja në sheshin e Shën Pjetrit por do të transmetojë direkt për njerëzit nga shtëpia. Lutja do të transmetohet drejtpërsëdrejti nga një librari brenda Vatikanit.
Sipas zyrtarëve nga Kisha, papa nuk do t’i drejtohet audiencës së tij nga dritarja as ditën e mërkurë. Italia është vendi evropian më i goditur nga Covid-19 me 4,636 raste të konfirmuara dhe 197 vdekje, shumica të ndodhura këtë javë.
Javën e shkuar Françesku anuloi një nga aktivitetet e tij për shkak të një problemi shëndetësor. Në fillim u dyshua për koronavirusin, por më pas u konfirmua që thjesht po kalonte një ftohje.
Papa tashmë po shmang në maksimum kontaktet me njerëzit në përpjekje për të qëndruar larg virusit. /abcnews.al/