Kryendeshja e Seria A këtë fundjavë është Derbi i Italisë mes Juventusit dhe Inter. Ndeshja që ishte programuar për tu zhvilluar të dielën e kaluar u shty për shkak të Coronavirusit. Siç dihet tashmë, Federata Italiane ka vendosur që deri në datën 3 prill ndeshjet e futbollit do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Në kampin juventin përgatitjet vazhdojnë dhe të besuarit e Sarrit do të kërkojnë fitoren ndaj rivalëve të përjetshëm. Trajneri italian për këtë duel do të ketë dhe një dilemë për sa i përket mbrojtjes. Kapiteni i bardhezinjve, Giorgio Chiellini, është rikthyer nga dëmtimi dhe luajti në minutat e fundit në humbjen 2-1 kundër Hellas Veronës.
“Zonja e Vjetër” ka disa kohë që luan me dyshen Bonucci-De Ligt në qendër të mbrojtjes. Përpos rikthimit të veteranit në skuadër, Sarri do të vazhdojë t’i besojë holandezit. Sipas “Sky Sport”, De Ligt do ta fillojë si titullar ndeshjen kundër Interit dhe Chiellini do të jetë në stol. 20-vjeçari numëron 2200 minuta lojë këtë sezon, ku ka shënuar 2 gola dhe ka ndihmuar Juventusin ta mbajë portën tetë herë të paprekur. /abcnews.al