Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha në një konferencë shtypi në Prishtinë se raporti me SHBA-të është i pazëvendësueshëm dhe se kushdo që pretendon të sfidojë atë, në të ardhmen mund të ketë edhe pasoja për vendin.
“Ne të gjithë liderët e Kosovës jemi të zëvendësueshëm. Raporti i Kosovës me SHBA-të dhe kontributi është i pazëvendësueshëm”, tha Thaçi.
Thaçi theksoi se roli i tij do të vazhdojë të jetë ai i presidentit të vendit, me mandat të plotë kushtetues dhe ligjor.
“Do të punoj fuqishëm me liderët politik që të krijojmë një unitet të qëndrueshëm që do të jetë pastaj si marrëveshje e kalueshme edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pra, do të jetë një koordinim ndërinstitucional, me unitet ndërpartiak. Pra, ftesa ime dhe do të punojë në këtë drejtim që të jemi sa më të bashkuar që marrëveshja të kalojë edhe në Parlamentin e Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Presidenti theksoi se secili do të marrë përgjegjësitë që do t’i takojnë sepse nuk janë në garë dhe se janë përballë Serbisë. Ai nënvizoi se njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë dhe çdo marrëveshje do të jetë e miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës./abcnews.al

