Bota prej ditësh është në alarm nga koronavirusi që po përhapet në shumë vende. Deri më tani numri i të infektuarve në nivel global ka arritur në 93,129, ndërsa 3,200 persona kanë humbur jetën.
Sipas të dhënave të publikuara në hartën për shpërndarjen e koronavirusit global, 50,681 persona kanë arritur të rikuperohen pas infektimit me koronavirus në të gjithë botën. Shpërthimi më i keq jashtë Kinës deri tani është në Korenë e Jugut dhe Iran. Në Korenë e Jugut deri tani janë raportuar më shumë se 5.300 raste dhe 32 vdekje.
Ndërkaq, Irani -si një ndër vendet e tjera i dyshuar se mund të kthehet në një vatër të përhapjes së koronavirusit- njoftoi ditën e djeshme se do të lirojë përkohësisht më shumë se 54 mijë të burgosur në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Vendi i Lindjes së Mesme deri tani ka shënuar mbi 2300 raste të virusit, 77 vdekje dhe 291 të rikuperuar.
Përhapja e virusit vdekjeprurës vijon edhe në SHBA. Më shumë se 120 raste janë shënuar deri tani, ndërsa 9 persona kanë humbur jetën. Të infektuarit janë raportuar në 13 shtete. Ndërkohë në Evropë, Spanja ka konfirmuar vdekjen e parë nga koronavirusi. Mësohet se, viktima kishte ndërruar jetë në 13 shkurt. Pas testimeve të bëra, është zbuluar se shkaku i vdekjes ishte koronavirusi. Spanja deri tani shënon 165 raste të të infektuarve dhe 2 persona të rikuperuar pas infektimit nga virusi.
Udhëheqësi teknik i Programit të Shëndetit të Emergjencave të Shëndetit, Dr. Maria Van Kerkhove tha të martën se OBSH kishte shqyrtuar të dhënat e Kinës, dhe besonte se rënia e vazhdueshme e rasteve të reja me koronaviruseve në vend që nga fundi i janarit ishte i vërtetë, ndërsa nuk tregoi arsyen.
Epidemia e koronavirusit po bëhet gjithnjë e më komplekse. Është një virus unik me karakteristika unike ‘dhe për këtë arsye kriza “nuk mund të zgjidhet vetëm nga organizimi i autoriteteve të kujdesit shëndetësor dhe as nga një vend i vetëm, por kërkon bashkëpunim dhe koordinim global”, ka thënë Tedros Adhanom Ghebreyesus./abcnews.al