Bota në ‘kthetrat’ e koronavirus, India dhe Kina bllokojnë futjen e italianëve në vend

schedule17:37 - 3 Mars, 2020

schedule 17:37 - 3 Mars, 2020

Koronavirusi vazhdon të prekë gjithnjë e më shumë persona ndërsa deri më tani numërohen 92,320 raste të konfirmuara në botë. Numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 3,137 ndërsa numri i rasteve të shëruara është 48,458.

Sa i përket situatës në Evropë, gjatë ditës së sotme kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka shpalosur planin që qeveria e tij ka gati për t’u përballur me COVID-19.

Dymbëdhjetë raste të reja të koronavirusit janë konfirmuar në Britaninë e Madhe të martën ndërsa në total numri i të infektuarve është 51. Qeveria angleze paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë një rritje të rasteve të vdekjeve sidomos mes personave të moshuar dhe grupeve më të rrezikuara.

Sa i përket vendeve të tjera të Evropës, ministria e Shëndetësisë në Francë konfirmoi vdekjen e katërt si pasojë e koronavirusit.

Ndërsa, nisur nga situata në Itali, India ka njoftuar se ka pezulluar të gjitha vizat e personave që vijnë nga ky vend i Evropës si dhe Irani, Koreja e Jugut e Japonia.

Kjo lëvizje vjen pasi India konfirmoi dy raste të tjera me koronavirusin duke e çuar totalin në pesë raste.

Rastet e konfirmuara me infeksionin e rrezikshëm janë rritur edhe në Iran, ku u raportua se ndër të tjerë, janë infektuar edhe 23 deputetë.

Në Itali rezultojnë të infektuar 2,036 persona ndërsa 52 persona kanë ndërruar jetë. Është njoftuar gjithashtu se shkollat e të gjitha niveleve në Liguria do të qëndrojnë të mbyllura deri më 8 mars. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!