Skuadrat kryesuese të grupit B të Kategorisë së Dytë nuk gabojnë. Tomori shkatërroi Këlcyrën në Berat me “manita”. Koroveshi, Dobra, Dervishi, Kopace dhe Paja ishin autorët e fitores së thellë.
Djemtë e Kristaq Miles kryesojnë me 37 pikë, po aq sa ka edhe Maliqi dhe Albpetroli, por beratasit kanë zhvilluar një ndeshje më pak. Maliqi vuajti shumë përballë Naftëtarit, por ia doli të largohet me tre pikë nga Kuçova.
Xaka u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 72-të dhe i dha fitoren skuadrës së tij. Albpetroli nuk gaboi në shtëpi. Hidershaj dhe Hatia realizuan golat e fitores 2-0 kundër Memaliajt dhe ekipi nga Patosi nuk dorëzohet nga objektivi për t’u ngjitur një kategori më lart.
Në ndeshjet e tjera të javës së 15-të, Butrinti fitoi 0-2 në Tepelenë, Delvina triumfoi me “poker” përballë Gramozit, ndërsa Përmetit i mjaftoi një gol Hoxhës për të mposhtur Selenicën e vendit të fundit.
Ndeshjet e grupit A të Kategorisë së Dytë u zhvilluan gjatë ditës së djeshme. Vora nuk ia doli të ruante avantazhin e Sadikut përballë Partizanit B, që barazoi një minutë përpara fundit të ndeshjes me anë të Palluqit.
Frenimi i kryesuesve u shfrytëzua nga Luzi, që fitoi në shtëpi përballë Vllaznisë B. Goli i Sejdinit në pjesën e parë i dha tre pikët vendasve, që arrijnë Vorën (ka luajtur një ndeshje më pak) në krye të renditjes me 37 pikë.
Sopoti vijon të jetë forcë e tretë në këtë grup. Skuadra nga Librazhdi mposhti Tiranën B 3-0, ndërsa Mirdita e vendit të katërt triumfoi 3-1 kundër Adës së Velipojës. Sfida e fundit për këtë grupi luhet nesër mes Klosit dhe Gramshit. /abcnews.al