Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi përsëriti sot akuzat ndaj ministres se Drejtësisë Etilda Gjonaj duke theksuar se asaj i duhet një avokat i mirë sepse ka shkelur ligjin përmes “vjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që i përket Presidentit Meta”.
Bardhi tha se gjykimi i Gjonajt pas padisë së Metës është një test i rendësishëm për SPAK.
Reagimi i plotë i Bardhit
Në vend që të mashtrojë qytetarët, Etilda Gjonaj bën mirë të gjejë një avokat.
Sikur Edi Rama vetë të drejtojë personalisht mbledhjet e SPAK-ut, ajo është e pambrojtshme. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese.
Provat e paraqitura nga Presidenti për grabitjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë, edhe përmes veprimeve të paligjshme të Ministres së Drejtësisë, janë të qarta dhe të pakundërshtueshme.
Etilda Gjonaj duhet të japë llogari para drejtësisë! Është një test i rëndësishëm për SPAK-un, i cili do të tregojë, nëse reforma në drejtësi ka dështuar me gjithçka apo jo.

