Sulmuesi shqiptar, Florian Kamberi, shënoi një gol dhe asistoi të dytin në barazimin 2-2 mes St. Johnstone dhe Rangers. Ylli më i ri i Rangers tha se është i lumtur për ndeshjen e tij, por shpreson të luajë më shumë në formacionin e Steven Gerrard.
“Jam i lumtur që shënova golin e parë për Rangers, por nuk arritëm të merrnim tri pikët. Trajneri njeh cilësitë e mia, ka besim tek unë. Mundohem të bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën. Sot shënova një gol dhe dhashë një asist, por fatkeqësisht pësuam dy gola.
Të gjithë janë të zhgënjyer, pasi erdhëm këtu të merrnim fitoren. Nuk mund të lëmë pikë më, edhe tifozët nuk mund të jenë të kënaqur me këtë rezultat.
Minutat? Është në dorë të trajnerit, pres çdo lloj vendimi të tij, do të mundohem të tregoj që jam gati për në mesjavë. Kjo ndeshje kaloi, ndaj ne do të duhet të përqendrohemi për sfidën me Bragën në Europa League”, përfundoi Kamberi./abcnews.al