Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Loti i burrit: Historitë e trishta të dy kryefamiljarëve, njëri nga Presheva dhe tjetri nga Tirana, që luftojnë çdo ditë për të ushqyer familjet e tyre.  

schedule13:42 - 23 Shkurt, 2020

schedule 13:42 - 23 Shkurt, 2020

Dy burra, kryefamiljarë, që e kanë vuajtjen të shkruar në sy. Edmond Lilaj që jeton në periferi të Tiranës dhe Rrustem Kurtishi që jeton në periferi të Preshevës. Janë dy burra, dy familje, që nuk kanë nevojë për mëshirë, por për punë, kujdes social dhe njerëzor nga shtetet respective dhe solidaritet njerëzor, që të gjithë mund dhe duhet të japim për njëri-tjetrin.

Kryeqytetet e vendeve të Ballkanit janë secila të bukura në llojin e vet, shumë dritë, rrugë të bukura dhe të rinj me një bukuri tipike ballkanike. Por përtej vezullimit të qendrave, shtrihet i trishtë një realitet tjetër, i zymtë, që të këput shpirtin. Dy burra, kryefamiljarë, që e kanë vuajtjen të shkruar në sy. Edmond Lilaj që jeton në periferi të Tiranës dhe Rrustem Kurtishi që jeton në periferi të Preshevës. E nisim rrugëtimin e Vatrës me Edmondin. Sapo kalon Medresenë, fillon rruga 5 Maji dhe në fund të saj është një zonë e harruar të cilën banorët e quajnë Bregu i Lumit, në të cilën mund të shohësh ende gërmadhat e komunizmit. Rrugica me baltë, guralecë, dhe pellgje uji. Këtu ka familje të ardhura kryesisht pas viteve 90’të në një përpjekje për një jetë më të mirë në kryeqytet. Por kryeqyteti nuk ofron shumë për ta. Edmond Lilaj, tani 51 vjec, ka ardhur nga një fshat i Vlorës, është martuar me një vajzë nga fshatrat e Pukës dhe ka një vajzë në klasën e shtatë. Ka vuajtur në kohën e komunizmit si familje e persekutuar dhe ka vuajtur tranzicionin, ku ka humbur plotësisht shikimin nga njëri sy dhe në pjesën më të madhe nga syri tjetër.



“Unë kam probleme me sytë i kam operuar. Kjo është kartela ime, këto janë për kemp”.

Nga familja tre-anëtarëshe, është i vetmi që dëshiron të flasë në kamera, me një kërkesë të vetme, jo mëshirë, por punë. Gjithcka dëshiron, është një punë, cfarëdo qoftë ajo.

“Unë kërkoj nëj punë, që të punoj, se shtëpi kërkojnë të gjithë”

Edmondi ka shpresë, edhe pse jeton në këto kushte të mjerueshme. Shpresa vdes e fundit, thotë.

Largohemi nga Bregu i Lumit, duke lënë pas Edmondin që na rikujton disa herë se dëshiron vetëm punë e jo lëmoshë. Dalim nga Tirana e zhurmshme dhe me një trafik të cmendur, dhe ecim drejt rrugës së kombit, për të udhëtuar në një trajektore politike. Do të shkojmë në Preshevë dhe rruga më e shkurtër dhe më e mirë për atje është përmes Kosovës, në Gjilan, në kufirin në Mucibabë dhe pastaj në Preshevë. Por me pashaportat tona shqiptare, nuk mund të hyjmë në Serbi nga Mucibaba, sepse Beogradi nuk e njeh atë si kufi ndërkombëtar. Kalojmë nëpër Rrugën e Kombit, hyjmë në Morinë, Kosovë, ecim drejt pikës kufitare të Hanit të Elezit, dhe hyjmë në Maqedoninë e Veriut për të shkuar në Tabanoc, në pikën kuiftare midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që do të na çojë drejt Preshevës. E shtrirë gjysma në fushë dhe gjysma në kodrinë, lugina e Preshevës është një nga ato bukuri që të jep ndjesinë e paqes kur e sheh. Por moti me diell dhe ajri I pastër për të cilin njihet Lugina, sigurisht që nuk I ka bërë njerëzit më të pasur. Ata janë pakicë në Serbinë, e cila ka 22 pakica kombëtare. Gjendja ekonomike as këtu nuk është më mirë. Ngjitemi në rrugën e Gjilanit, në periferi të Preshevës, ku jeton Rrustem Kurtishi me familjen e tij. Ka vetëm një vajzë, e cila është e martuar dhe ka fëmijët e saj, djemtë, të cilët i ka rritur ai. E ka cuar djalin e madh në një kurs për kuzhinier poshtë në qytezë, sepse i ka kaluar të 70-tat dhe merakun më të madh e ka se kush do të vazhdojë të kujdeset për familjen.

Gruaja e tij ka probleme me dëgjimin dhe shikimin dhe vajza është e sëmurë. Shtëpia është dëmtuar shumë nga tërmeti I 2002 që ra në zonën e Gjilanit dhe preku edhe Luginën e Preshevës, por ai nuk ka pasur mundësi ta rregullojë. Aty jetojnë, aty flenë.

Ky është njëri nga djemtë e vajzës së tij. Fëmijë i shëndetshëm dhe me shumë dëshira për jetën.

Aga Rrustem i lutet Zotit që të kujdeset për të gjithë, e pastaj edhe për familjen e tij. Thotë se fëmijët e vajzës e kanë bërë të fortë, e kanë lumturuar, I kanë dhënë dëshirën për të jetuar dhe për ti parë të rriten dhe të bëhen të zotët e vetes.

Largohemi nga Presheva, duke lënë pas të gdhëndur në gur Nënë Terezën. Rruga në kthim është përsëri e lodhshme, përsëri kufi pas kufiri, Serbi, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Shqipëri. Kemi lënë pas dy burra, dy familje, që nuk kanë nevojë për mëshirë, por për punë, kujdes social dhe njerëzor nga shtetet respective dhe solidaritet njerëzor, që të gjithë mund dhe duhet të japim për njëri-tjetrin. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!