Pasi e ëma e Quaden Bayles, (një djali 9-vjeçar nga Australia, i lindur me nanizëm) postoi një video ku tregonte pasojat që vuante i biri nga bullimi, bota reagoi e shqetësuar.
Shpejt, të gjithë u solidarizuan me vogëlushin dhe madje, në GoFundMe u mblodhën shumë më tepër fonde nga ç’ishte imagjinuar të vinin në ndihmë të tij. Në më pak se një ditë, GoFundMe arriti në $300,000, të cilat do të shkojnë për 9-vjeçarin dhe mamanë e tij shkruan Pop Culture.
Menjëherë pas këtyre lajmeve, në internet shpërtheu skandali i radhës. Krejt papritur lindën disa teori konspirative, të tipit: “Djali në të vërtet është 18-vjeç dhe e gjithë historia është e sajuar sepse ai ka para, është model instagram-i dhe jo pak i famshëm.” Kishte të tjerë që thoshin se ai është aktor dhe e gjitha ka qenë një mashtrim i madh për njerëzit.
“Emri i tij është Quaden Bayles, është 18-vjeç dhe në fakt është shumë i pasur.”- lexohej në një koment në Twitter dhe një debat i madh lindi në rrjete sociale. Ndjekësit i referohen disa fotove nga Instagram-i i tij, për të cilat thonë se i ka edituar pas famës që mori 24 orët e fundit.
Në fakt, deri më tani nuk ka asnjë provë konkrete që vërteton se djali që preku zemrat e gjithë botës, të jetë në fakt mashtrues. Gjatë një intervistë të bërë në 2015-ën, për t’u ndërgjegjësuar në lidhje me nanizmin, Quaden, i shoqëruar nga mamaja e tij u përshkrua si “vogëlushi 4-vjeçar”.
Nëse në 2015-ën ai ka qenë 4-vjeç, atëherë djali është 9-vjeç dhe të gjithë teoritë e tjera mbeten vetëm komente të hidhura interneti.
Përveç kësaj, e ëma e vogëlushit ka qenë sistematikisht aktive në rrjete sociale dhe kohë pas kohe ka dokumentuar përmes fotove rritjen e 9-vjeçarit./abcnews.al