Qeveria amerikane po shkon sërish drejt mbylljes sot në mesnatë. Nëse ligjvënësit në Kongres nuk arrijnë të gjejnë një marrëveshje për çështjen e emigracionit dhe të miratojnë një buxhet, qeveria federale do të fillojë sërish mbylljen e saj të pjesshme.
Udhëheqësit e Senatit arritën dje një marrëveshje dypartiake, sipas të cilës qeveria federale do të financohet për dy vitet e ardhshme, duke lënë megjithatë pa zgjidhje çështjen e nxehtë të emigracionit.
“Askush nuk thotë që është e përsosur, por punuam shumë që të gjenim pikat e përbashkëta për t’i shërbyer popullit amerikan. Mbi të gjitha, kjo marrëveshje dypartiake do të heqë shkurtimet buxhetore që kanë dëmtuar forcat tona të armatosura dhe kanë rrezikuar sigurinë tonë kombëtare”, deklaroi Senatori Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës në Senat.
Gjetja e pikave të përbashkëta në Dhomën e Përfaqësuesve mund të jetë më e vështirë. Udhëheqësja e pakicës demokrate, Nancy Pelosi, mbajti dje një fjalim prej 8 orësh në shenjë proteste. Ajo gjithashtu njoftoi se nuk do të mbështesë marrëveshjen për buxhetin nëse kreu republikan i Dhomës të Përfaqësuesve nuk zotohet të fusë për votim çështjen e ‘ëndërrimtarëve’, emigrantëve pa dokumenta të sjellë në SHBA kur ishin fëmijë.
“Nuk ka asgjë partiake apo politike të mbrosh ‘ëndërrimtarët’. Nëse do sillej për votim një projektligj për ta, do të miratohej njëzëri. Falenderoj ata kolegë republikanë që kanë folur me kurajo për këtë çështje. Megjithatë, fati i ‘ëndërrimtarëve’ mbetet pezull me një re frike dhe pasigurie mbi kokat e tyre. Burracakëria morale e republikanëve duhet të marrë fund”, deklaroi ligjvënësja Nancy Pelosi, udhëheqëse e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Nuk është e qartë nëse një marrëveshje dypartiake për buxhetin mund të mbërrijë në kohë brenda ditës së sotme në Dhomën e Përfaqësuesve, për të mbajtur në funksionim qeverinë federale.
Presidenti Trump ka sinjalizuar se e mbështet marrëveshjen e arritur në Senat, e cila parashikon rritje të shpenzimeve për mbrojtjen, vetëm një ditë pasi u duk se po mundohej të bindte ligjvënësit të lejonin mbylljen e qeverisë federale.
Demokratët bllokuan muajin e kaluar një projektligj financimi, duke shkaktuar një mbyllje tre-ditore të qeverisë federale, kryesisht për shkak të afrimit të datës së skadimit të programit DACA të administratës Obama, për emigrantët pa dokumenta të sjellë në SHBA në moshë të mitur./VOA