“Rritet fluksi”, spitali i Fierit është i vetmi në jugun e vendit që ofron shërbimin e hemodinamikës

schedule14:18 - 20 Shkurt, 2020

schedule 14:18 - 20 Shkurt, 2020

Pacienti nga Lushnja po i nënshtrohet vendosjes së stendave në arteriet e zemrës. Në Spitalin Rajonal të Fierit prej një viti po kryehen ndërhyrje të tilla, për të sëmurët kardiakë. Një shërbim i tillë shtesë në vendin tonë ka shmangur pritjen e gjatë të pacientëve në qendrat spitalore të kryeqytetit.

 “Më mirë nuk ka ku të shkojë”, shprehet pacienti.

Shërbimi i hemodinamikës, ku përfshihet koronarografia dhe vendosja e stendave në spitalin e Fierit, përgjatë vitit është përballur me fluks të lartë të pacientëve. Fillimisht nisi si njësi e hemodinamikës, ndërsa muajt e fundit prej numrit të lartë të personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës është kthyer në një shërbim më vete. Në këtë shërbim trajtohen pacientë nga të gjithat zonat jugore të vendit. Nuk kanë munguar as të sëmurët nga Kosova.

“Deri dje janë realizuar 425 procedura në spitalin rajonal Fier. Çdo ditë kryhen nga katër procedura ndonjëherë edhe më shumë”, tha mjeku Ndriçim Kallashi.

Mjeku Ndriçim Kallashi është i vetmi që kryen këto lloj operacionesh në një spital publik në jug të vendit dhe një ndërhyrje si kjo e vendosjes së stendave në arteriet e zemrës është shumë delikate.

“Çdo procedurë është sfidë më vete, është shumë e ndërlikuar. Nuk mund të thuash që një procedurë është më e thjeshtë dhe një më e ndërlikuar”, tha ai.

Ekipi mjekësor i shërbimit të hemodinamikës në spitalin e Fierit përbëhet nga 8 persona. Ndërsa shtretërit janë të pakët në numër për të përballuar ritmin me të cilin po punohet në këtë shërbim.

“Është rritur ndjeshëm fluksi dhe presim që të shtohemi me shtretër dhe  në personel mjekësor sepse kemi ende nevojë”, u shpreh mjeku Ndriçim Kallashi.

Shërbimi i hemodinamikës në Spitalin e Fierit ju ka ardhur në ndihmë pacientëve të jugut të vendit, por me rritjen e sëmundjeve, ky shërbim duhet të zgjerohet dhe në spitalet e qyteteve të tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!