Prokuroria e Durrësit ka kërkuar arrest me burg për Astrit Thaçin, hajdutin serial për të cilin janë dokumentuar së paku 8 vjedhje. Ndërsa për të dashurën e tij që dyshohet si bashkëpunëtore, prokuroria ka kërkuar masën detyrim paraqitje.
Gazetari Leonidha Musai raporton se gjatë seancës për masën e sigurisë prokurorja Anila Bebeci ka kërkuar arrest me burg për Astrit Thaçin dhe detyrim paraqitje për të dashurën e tij,Adela Berisha.
Astrit Thaçi gjatë seancës për masën e sigurisë është shprehur i penduar. “Jam shumë i penduar për veprimet e mija. Nëse do të riktheja kohën pas nuk do të merresha me këtë punë. Mbi të gjitha isha nën efektin e lëndëve narkotike. Kam bërë gabim shumë të madh dhe kam abuzuar shumë. Që në momentin kur ndodhi plagosja u pendova. Nga sikleti dhe nervat kreva dhe vjedhjen e argjendarisë”.
Gjykata ka caktuar masat e kërkuara nga prokuroria, përkatësisht “burg pa afat” për Thacin dhe “detyrim paraqitje” për të dashurën e tij./abcnews.al