Në 10 vite BE, 9 miliardë euro Ballkanit/Serbia përfituesja më e madhe

schedule13:44 - 8 Shkurt, 2018

schedule 13:44 - 8 Shkurt, 2018

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka publikuar një analizë për fondet e Bashkimit Europian që kanë shkuar për rajonin e Balllkanit Perëndimor. Sipas të përditshmes gjermane, Serbia është përfituesi më i madh i ketyre fondeve.

“Ballkani Perëndimor përfiton miliarda nga Bashkimi Europian”. Kështu titullohet një analizë e “Frankfurter Allgemeine Zeitung, FAZ”, në të cilën parashikohet se strategjia e re e Unionit ndaj vendeve të Ballkanit do të kushtojë shumë para. Gazeta gjermane rendit Serbinë dhe Malin e Zi, si dy vende me potencialin më të madh në rajon që kanë një shans real për anëtarësim në BE deri në 2025. Dhe për të mbështetur këtë, “FAZ” shkruan se për të siguruar një tranzicion të butë në anëtarësim, financimi adekuat është i domosdoshëm.

“Komisioni propozon rritjen e asistencës së para-aderimit (IPA) deri në vitin 2020. Deri më tani, ndërmjet 2018 dhe 2020, 1.7 miliardë euro janë rezervuar për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti i strategjisë përmend se 1.07 miliardë euro do të shpërndahen vetëm në vitin 2018, ndërsa 600 milionë eurot e mbetura për 2019 dhe 2020”, nënvizon e përditshmja.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” thekson se edhe pa rritjen e investimeve, rajoni tashmë ka konsumuar miliarda para të tatimpaguesve të BE-së. Në periudhën e financimit “IPA” 2007-2017, Komisioni ka shpërndarë 9 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Sipast gazetës gjermane, Serbia, që konsiderohet si vendi kandidat që është më afër anëtarësimit në BE, është përfituesi më i madh i këtij fondi. Më saktësisht qeveria e Beogradit përfiton mesatarisht 207 milion euro në vit.

Pjesa më e madhe e parave në Ballkanin Perëndimor rrjedhin për forcimin e administratës, sundimin e ligjit, aktivitetin ekonomik të qëndrueshëm, konkurrencën, demokracinë dhe qeverisjen e mirë. “FAZ” më tej shkruan se strategjia e Ballkanit Perëndimor thekson se ende nevojiten përpjekje të mëdha, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, sigurinë, infrastrukturën dhe pajtimin e ish-palëve ndërluftuese. E përditshmja e mbyll shkrimin duke nënvizuar se pranimi i mundshëm i vitit 2025 i Serbisë dhe Malit të Zi do të ishte zgjerimi i parë i BE që nga viti 2013, kur u pranua Kroacia, gjithashtu një shtet i Ballkanit Perëndimor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!