Rihapet pas 8 vitesh aeroporti ndërkombëtar i Aleppos

schedule15:38 - 18 Shkurt, 2020

schedule 15:38 - 18 Shkurt, 2020

Pas tetë vitesh nga mbyllja e tij, aeroporti ndërkombëtar i Aleppos, në veri të Sirisë do të rinisë të funksionojë në ditët e ardhshme. Këtë lajm e ka njoftuar ministri Sirian i transporteve Ali Hammud.

Rihapja e aeroportit po ndodh ndërkohë që forcat qeverisëse, të mbështetura nga forcat ruse dhe ato libaneze të Hezbollah, po vazhdojnë sulmet në jug-perëndim të qytetit kundër militantëve anti-regjim, të mbështetur nga Turqia. Pushtimet e fundit territoriale të forcave të Damaskut rreth periferisë së Aleppos, kanë mundësuar rivendosjen e fluturimeve civile nga ana veriore e aeroportit të metropolit Sirian.

Fluturimi i parë është parashikuar të kryhet të mërkurën me destinacion Damaskun. Janë programuar gjithashtu fluturime drejt Cairo-s në Egjipt. Qyteti i Aleppos përgjatë verës së vitit 2012 ishte kthyer në një teatër të luftës Siriane. Vetëm në vitin 2016 forcat qeverisëse e morën kontrollin, pas një rrethimi të gjatë, duke shkaktuar një shkatërrim infrastrukturor të lagjeve rebele lindore dhe qendrore.

Aeroporti i qytetit ndodhet në periferinë jug-lindore, dhe testet e para për fluturimet civile janë kryer që në 2017-ën. Mundja dhe tërheqja e grupeve anti-regjim garanton, sipas qeverisë Siriane sigurinë e fluturimeve të ardhshme.

Ndërkaq, Presidenti Sirian Bashar Al-Assad, në një fjalim të mbajtur në Televizionin Shtetëror ka siguruar që sulmet në veri-perëndim të vendit do të vazhdojnë deri në çlirimin e bastioneve të zëna nga kundërshtarët e armatosur, të mbështetur nga Turqia në rajonin e Idlib./abcnews.al