Pioli: Po gjejmë identitetin, ja pse u zemërua Ibra! Paqueta bëhet i madh

schedule09:39 - 18 Shkurt, 2020

schedule 09:39 - 18 Shkurt, 2020

Milani mundi mbrëmë Torinon dhe vendimtar me golin e tij ishte Ante Rebic. Kuqezinjtë mirën tre pikë me vlera dhe tanimë mendohet për përballjen me Fiorentinën. Stefano Pioli, direkt pas ndeshjes së djeshme, për “SKY SPORT” analizoi takimin e fituar.

“E mira e kësaj nate është fitorja, por edhe rezultati. Po gjejmë një identitet. Rrezikuam shumë pak. Tani do të shkoj në shtëpi dhe të shoh Sampdoria-Fiorentina. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen, pas një javë jo të qetë që kaluam. Mora përgjigje të mira nga ekipi”, tha Pioli.

Më tej ai komentoi edhe nervat e sulmuesit suedez: “Ibrahimovic u zemërua sepse ne mund të luajmë më mirë dhe mund ta kishim mbyllur ndeshjen më herët. Është e drejtë që ai të jetë ambicioz për rritjen tonë, pasi ne i kemi mundësitë për të bërë më mirë. Duhet t’i shohim gjëra pozitivisht”.

 

Zlatan Ibrahimovic feston një gol

Kjaer pësoi një dëmtim dje dhe mendohet se nuk ka diçka serioze. Musacchio doli në nxehje, por nuk u aktivizua. Pioli tregoi edhe pse nuk ndodhi diçka e tillë, ndërkohë që foli edhe për të riun Gabbia, të cilit i besoi më pas.

“Musacchio më tha që kishte një problem muskulor gjatë nxehjes. Gabbia? Jam i kënaqur me të, ka punuar me devotshmëri gjithë kohën. Është i ri, por një djalë që mund t’i besosh. Ka hyrë në fushë me kurajo dhe i bindur. E meriton këtë kënaqësi. Kur punon shumë, puna të shpërblehet”.

Në fund ai foli edhe për emra të tjera të përveçëm: “Paqueta mendoj se mund të bëhet një lojtar i shkëlqyeshëm, i ka të gjitha cilësitë për diçka të tillë. Nuk është akoma i pjekur plotësisht, por të mos harrojmë që është pjesë e kombëtares së Brazilit. Trekuartist? Është roli i Calhanoglu dhe më pëlqen shumë aty. Punon shumë dhe mund të shënojë. Mund ta bëjnë mirë atë pozicion edhe Paqueta e Bonaventura”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!