Ditë e tretë të grevës së urisë punëtorët e nënstacionit të Poçemës kanë shfaqur problem shëndetësore. Mjeku i qendrës shëndetësore të Fratarit, Shefqet Zylali sqaron se disa prej grevistëve kanë nevojë për ndjekje të vazhdueshme nga bluzat e bardha se vuajnë nga sëmundje kronike.
“Ka filluar dehidratimi i tyre, janë me sëmundje kardiovaskulare, duhen sa më shumë lëngje. Po japin ndihmën e parë në çdo kohë”, thotë mjeku.
Këta punonjës ndjehen të braktisur nga të gjithë pushtetarët që sipas tyre as greva e urisë nuk ju ka bërë përshtypje që të ndërhyjë tek kompanitë që nuk ju kanë dhënë prej muajsh pagat e tyre.
“Në ditën e tretë të grevës ne nuk ke i parë nga shteti një përfaqësues këtu. S’kemi parë as deputetin e zonës, po të ishte për votat do kishte ardhur me vrap”, thotë njëri prej tyre.
Një prej punonjësve loton teksa tregon se ka katër fëmijë për të rritur.
“Kam 4 fëmijë, ka vajtur në fund fare”.
Në këtë grevë urie ndodhen 14 punëtorë që duken të vendosur të mos dorëzohen dhe nuk marrin parasysh as shëndetin e tyre që është në rrezik.