Në zgjedhjet e reja parlamentare, ndryshe nga pakti që bënë në 2017, demokratët nuk do t’i japin më besim Edi Ramës për të qenë kryeministër gjatë periudhës zgjedhore. Ekspertët e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore Bylykbashi, Alibeaj dhe Kaso shpjeguan nismat ligjore të prezantuara në tryezën politike të reformës zgjedhore, duke bërë të qartë konceptin e tyre për qeverinë kujdestare.
“Ta bëjmë të qartë që në fillim: nuk do të ketë bashkëqeverisje mes opozitës së bashkuar dhe PS. Nuk do të ketë. Një qeveri kujdestare do të thotë një qeveri neutrale në raport me zgjedhjet, një qeveri që zbaton detyrimet ligjore, standardet dhe praktikat më të mira, në mënyrë që jo vetëm të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve, por edhe të mos ndërhyjë për të prishur zgjedhjet. Kjo është detyra e një qeverie kujdestare në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha Bylykbashi.
Në projektligjin e demokratëve për ashpërsimin e masave për krimet zgjedhore, futet edhe koncepti i “Sinjalizueve”, status që do ta gëzojë kushdo që denoncon shit-blerjen e votës. Por kur një model i ngjashël i cilësuar “bilbilfryrësit” ka dështuar në administratën publike, Bylykbashi ka bindjen se kjo nuk do të ndodh me zgjedhjet.
‘Duhet dënuar edhe ai që e shet votën, ka shumë qytetarët të cilët e refuzojnë me neveri, por për të mos patur frikë se ajo që ndodhi mund t’i ndëshkojë ne u japim atyre imunitetin nga ndjekja penal. Duke u bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë në këtë rast”, thekson ai.
Të vetëdijshëm për efektet e forta që propozimet ligjore do të kenë për instituicionet dhe tjetërsuesit e votave, demokratët flasin për një test të organeve të reja të drejtësisë në zgjedhjet e ardhshme.
Demokratët do të paraqesin edhe paketa të tjera ligjore në tryezën politike të reformës zgjedhore, ndërkohë që maxhoranca një pjesë të rendësishme të kërkesave i kanë cilësuar politike dhe jashtë atributeve të tryezës së reformës. /abcnews.al

