Kirurgët në QSUT kundër zhvendosjes së sallave të operacionit në katin e katërt

schedule16:34 - 11 Shkurt, 2020

schedule 16:34 - 11 Shkurt, 2020

Mjekët kirurgë të përgjithshm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në  Tiranë  kundërshtojnë zhvendosjen e të gjitha sallave të operacionit në bllokun e ri operator në katin e katërt të spitalit.

Ata i kërkojnë Drejtorisë së QSUT –ës dhe Ministrisë së Shëndetësisë  që një sallë e urgjencës aktuale në katin zero të mbetet në funksion të plotë.

Kjo për të përballuar urgjencat që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë në rastet kur kërcënohet jeta e pacientit dhe ndërhyrjet kirurgjikale me kontaminim të lartë  me qëllim mirëmbajtjen e bllokut të ri operator.

Mjekët kirurgë këtë e kanë bërë të ditur përmes një kërkesë zyrtare ku tregojnë se me 10 shkurt janë vënë përpara faktit te kryer dhe se opinoni i tyre nuk është marrë parasysh.

Shkresa është firmosur nga shumica e mjekëve të Departamentit të Kirurgjisë dhe është publikuar në rrjetet sociale nga ish ministri Demokrat i Shëndetësisë, Tritan Shehu.

Emri i parë në listë është ai i Profesor Etmond Çelikut bashkëshortit të Onkologes Silvana Çeliku e cila pak ditë me parë replikoi në distancë me kryedemokratin Lulzim Basha.

Deklaratën e Bashës që tha se në QSUT ka pasur të sëmurë të cilët kanë humbur jetën për shkak të vonesavë të kalimit nga urgjenca në sallat e operacionit  mjekja e quajti të e turpshme dhe keqdashëse.

Ndërkohë demokrati Shehu shkresën e publikuar e shoqëron me komentin; “Kur pa dija vendoset para profesionalizmit e shkences!!!”

Ish ministri i Shëndetësisë thotë se shqetesimi i mjekëve është i drejtë dhe racional përballë aktit që e quan të pashembullt të mbylljes së dy sallavë të urgjencës që bashkë më uljen drastike të kapaciteteve të kirurgjive dëmtojnë rëndë shërbimin në nivel kombëtar.

Pas shkresës zyrtare abc neës ka mësuar se mjekët kirurgë kanë diskutuar për këtë çeshtje me drejtorin e QSUT Enkelejd Joti, por nuk kanë arritur në një zgjidhje.

Zyrtarisht QSUT i tha Abc News se kjo është një çeshtje e brendshme organizative vendimi për të cilën do ti komunikohet mjekëve që kanë firmosur kërkesën sapo të jetë gati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!