Siri/ Piloti rus u vetëvra për të mos rënë në duart e rebelëve

schedule17:31 - 5 Shkurt, 2018

schedule 17:31 - 5 Shkurt, 2018

Piloti rus, avioni i të cilit u godit nga një raketë e qëlluar nga rebelët sirianë, u vetëvra duke shpërthyer një granatë për të mos rënë i gjallë në duart e tyre. Në Rusi, ai është shpallur hero për këtë veprim.

Piloti rus që braktisi avionin e tij pasi u qëllua nga rebelët në veri të Sirisë u vetëvra sapo zbriti në tokë, për të mos rënë në duart e militantëve të Shtetit Islamik. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ruse, të cilat e kanë cilësuar pilotin një hero dhe kanë saktësuar se ai u vetëvra duke shpërthyer një granatë. Sipas të njëjtave burime, fjalët e fundit të Roman Filipov para shpërthimit ishin: “Kjo është për djemtë”, që mendohet të ketë qenë për shokët e tij ushtarakë.

Avioni luftarak që po drejtonte Filipov, i llojit “Sukhoi-25”, u qëllua nga toka teksa fluturonte mbi provincën e Idlibit, e kontrolluar në masë nga rebelët. Një grup i lidhur me Al Kaedën mori përsipër përgjegjësinë e sulmit. Televizioni Zvezda, që kontrollohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes, raportoi se pilotit i është dhënë medalja “Hero i Rusisë” pas vdekjes, e njohur ndryshe si “Ylli i Artë”.
Thuhet se ai njoftoi përmes radios eprorët e tij se ishte goditur nga një raketë, para se të shkëputej nga avioni. Ndryshe e raportoi ngjarjen Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit Filipov u kap nga rebelët kur preku tokën dhe më pas u vra. Qeveria siriane, e mbështetur nga forcat ajrore ruse, nisi një ofensivë madhore në dhjetor kundër grupeve rebele në Idlib./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!