Ndotja akustike, mjekët: Duhet bërë kujdes, mund të shkaktojë dëme të mëdha në dëgjim

schedule15:10 - 10 Shkurt, 2020

schedule 15:10 - 10 Shkurt, 2020

Ndotja akustike nga trafiku, boritë e automjeteve apo edhe makineritë e rënda janë mjaft shqetësuese dhe sjellin dëme serioze shëndetësore, për ata qe jetojnë e punojnë në kryeqytet. Mjekët specialistë shprehen se po shtohen gjithnjë e më shumë pacientët që kanë probleme me dëgjimin për shkak të këtyre zhurmave

Mjekja Otorinolaringologe, Anjeza Kuçi është shprehur se me zhurmat akustike ne përballemi kudo por e rëndësishme është që të kujdesemi për shëndetin e aparati tonë dëgjues.

“E shikojmë në çdo cep të Tiranës kur kalojmë makineritë e rënda nga një anë, zhurma e trafikut, makineritë e tjera bëjnë që problemet që ne të kemi me nervin e dëgjimit të jenë të shpeshta. Dëmtimi i parë është i menjehershëm që vjen te puntorët e ndërtimeve në momentin që po punojnë me një zhurmë që kalon mbi 140 decibel, për zhurmën e mjeteve të ndryshme të ndërtimeve dhe probleme të tjera kronike. Janë dëmtime që nuk i ndien menjëherë dhe ai mund të paraqitet tek mjeku pas  një periudhe 2 ose 3 vjeçare ose dhe 5 vjeçare dhe këto dëmtime janë dhe të parikthyeshme,”tha doktoresha.

Mjekët specialistë japin edhe këshillat përkatëse siç janë kufjet që vendosen kundra zhurmave apo edhe kontrolli i volumit të zërit kur përdorim pajisje të ndryshme si telefoni apo mp3.

“Do të rekomandonim që këto pacientë përdornin kufje ata dhe të gjithë të tjerët aty pasi dëmtimet kronike vijnë për një periudhë 10 ose 15 vjeçare  dhe pacienti atëherë është i detyruar që të vendosë aparat dëgjimi ose proteza akustike. E rëndësishme është për të rinjtë që i shikkojmë duke ecur në rrugë me kufje këshillojmë që niveli i zërit që prodhon aparati akustik të jetë deri në gjysmën e volumit. Kontrolli periodik te mjeku është i detyruar të bëhet në një periudhë 6 deri në 1 vit”, ka thënë ndër të tjera mjeke Otorinolaringologe Kuçi.

Në rastet kur pacientët punojnë në vende që zhurmat janë të pashmangshme, rekomandojnë edhe shkëputjen nga puna, pasi dëmet në dëgjim mund të jenë të parikuperueshme.

Sipas matjeve të fundit të ISHP-së, zhurma e matur në qendër të Tiranës është 60 deri në 80 decibel, zhurmë e cila për një përson që e ka të përditshme këtë, nga mjekët kjo konsiderohet një traumë./abcnews.al