Daja: Bylisi nuk është surprizë, arbitrat e kanë dëmtuar shumë Skënderbeun

schedule15:30 - 7 Shkurt, 2020

schedule 15:30 - 7 Shkurt, 2020

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, zbuloi se skuadra paraqitet e plotë në vigjilje të duelit me Bylisin, ndërsa vlerësoi maksimalisht kundërshtarin. Jashtë fokusit nuk mbeten arbitrat, për të cilët ka edhe një mesazh

Skënderbeu synon të rikthehet tek fitorja pas humbjes në fushën e Laçit. Kundërshtari i radhës për korçarët është ekipi i Bylisit. Për skuadrën e teknikut Ilir Daja pritet një duel mjaft i ashpër në Korçë, ndërsa në konferencën për shtyp, kreu i pankinës së juglindorëve zbulon se skuadra është e plotë në vigjilje të këtij dueli.

“Kemi gjithë grupin në dispozicion për ndeshjen kundër Bylisit, përveç Krasniqit. Është rikuperuar Pëllumbi pas mungesës që kishim. Vijmë nga një manovër e konsoliduar, e shprehur edhe gjatë këtyre tre javëve në këtë pjesë të kampionatit. Ekipi që do të sakrifikojë më shumë do të shkojë drejt tre pikërisht dhe shpresojmë të jemi ne. Në këto terrene, gjatë dimrit, sakrifica është në plan të parë”, shprehet tekniku i korçarëve.

 

Bylisi, duke festuar një gol

Ilir Daja thur elozhe për kundërshtarin dhe për ecurinë fantastike të ballshiotëve në sezonin aktual: “Bylisi tashmë nuk quhet më surprizë, me plot meritë është në vendin e katërt. Po të shikoni edhe raportin e golave të shënuar dhe ato të pësuar, janë po në të njëjtin vend. Dyluftimet kanë një nga pikat më të forta, por kanë edhe dobësi. Do mundohemi t’i shfrytëzojmë. Këtë javë kemi punuar për këtë, edhe pse kushtet atmosferike nuk kanë qenë të mira”

Sipas trajnerit Daja, Skënderbeu është një nga ato skuadra që është dëmtuar nga gabimet arbitrare dhe shpreson që situata të ndryshojë. “Skënderbeu ishte në ekipet që është dëmtuar më shumë deri në këto momente. Në favorin tonë nuk ka të njëjtat gjëra, që do të thotë se kjo ka ndodhur në vazhdimësi dhe nuk është një ndeshje e vetme.

Për këtë gjë, Federata, Sektori i Arbitrave, duhet të bëjnë një analizë dhe të mbajnë një përgjegjësi, jo vetëm për Skënderbeun, por edhe për vazhdimësinë e kampionatit shqiptar”, u shpreh Daja në mbyllje. Pas 20 ndeshjeve të para, Skënderbeu renditet në vendin e tetë në klasifikim, në kuotën e 27 pikëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!