Ka shkuar në 33 numri i personave që kanë humbur jetën nga një ortek bore që ka ndodhur në një autostradë malore në provincën Van të Turqisë.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se në momentin e rënies së ortekut në autostradë ndodheshin rreth 300 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit, që po merreshin me pasojat e një orteku tjetër që ra mbrëmjen e së martës dhe la së paku pesë njerëz të vrarë.
Ndërkohë ministria e Brendshme e Turqisë tha se së paku 30 punonjës të emergjencës ose kanë ikur, ose janë shpëtuar dhe se tashmë janë shtruar në spital. Autoritetet nuk kanë ende informacione se sa persona mbeten të bllokuar nën borë.
Gjithashtu vijojnë kërkimet dhe përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar, por raportohet se ato po pengohen nga mjegulla, bora dhe era e fortë./abcnews.al

