Napoli siguroi fitoren e dytë radhazi në kampionat përballë Sampdorias (2-4) dhe diçka e tillë nuk ndodhte prej muajsh. Puna e Gennaro Gattusos po fillon të japë fryte dhe ekipi është tjetërsuar për mirë.
Të mundësh Lazion, Juventusin dhe të shënosh katër gola në transfertën e fundit, nuk janë pak. Lorenzo Insigne ndihet i lumtur për triumfin e mbrëmjes së kaluar dhe pret rikthimin e të dëmtuarve për të parë një Napoli ndryshe në fazën e dytë të sezonit.
“Po i japim vazhdimësi punës që bëjmë gjatë javës. Kundër Sampdorias ishte një fitore e gjithë grupit, edhe ata që u futën gjatë lojës dhanë ndihmën e tyre. U treguam të aftë për të mos e humbur qetësinë dhe ia dolëm të siguronim tre pikët. Tani që kthehen të gjithë do të jemi edhe më të fortë.
Grinta e trajnerit dhe shpirti i duhur do na ndihmojnë të përballemi siç duhet me kundërshtarët në ndeshjet e ardhshme. Kemi shkaktuar shumë dëme, ka ardhur koha t’i rregullojmë. Champions League? Mund t’i dalim përballë Barcelonës, por t’i marrim ndeshjet me radhë“, komenton kapiteni i Napolit. /abcnews.al