Dritan Rexhepi-Ndrek Prengës: Më kanë prerë në besë, nuk duhej ta vrisnin Janin

schedule18:30 - 3 Shkurt, 2020

schedule 18:30 - 3 Shkurt, 2020

Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me autoritetet britanike ka mundur të zbardhë bisedat mes urdhëruesit të rrëmbimit të Dritan Rexhepit dhe vëllait të Janit, Ndrek Prenga.

Dy vëllezërit e viktimës janë të arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar për trafikim droge.

Gjatë komunikimit të vazhdueshëm në telefon Dritan Rexhepit, i premton Ndrek Prengës, se nëse do t’i kthehet pjesa e drogës nga Astriti dhe Shullani, do të jepte urdhër për lirimin e 49-vjeçarit.

Dy vëllezërit Prenga në Angli u kanë kthyer 106 kilogramë drogë dhe 700 mijë euro disa shtetasve polake që vepronin për llogari të Rexhepit. Por  kur është mësuar që Jan Prenga kishte humbur jetën, Ndrek Prenga i ka kërkuar llogari  Dritan Rexhepit.

Urdhëruesi i rrëmbimit nga burgu i Ekuadorit i ka thënë se e kanë prerë në besë. Bosi i kokainës, sipas përgjimeve, i ka thënë Ndrek Prengës emrat e pengmarrësve të të vëllait,  meqë nuk mundi ta mbante fjalën e dhënë për lirimin e tij.

Është fjala për grupin Hajri dhe biznesmenin Gentian Doçi, të cilin RENEA nuk arriti ta arrestonte gjatë operacionit blic në Shkodër javën e kaluar.

Organi i akuzës ka zbardhur edhe dëshminë e bashkëshortes së Altin Hajrit, një person me shumë dritëhije dhe i kërkuar nga polica pasi konsiderohet si organizator i rrëmbimit të babait të 5 fëmijëve.

Bashkëshortja ka pohuar se nuk ka dijeni për vendndodhjen e tij, por ka deklaruar se Altini është kthyer në Shqipëri më 30 dhjetor të 2019-ës, pasi kishte qenë për dy vite në burg në Holandë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po tentohet që njëri nga personat e arrestuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.

Festim Bexhdili mësohet të ketë rrëfyer para hetuesve se trupin e pajetë të Jan Prengës e ka transportuar te Altin Hajri dhe te një tjetër person nga Shkodra me mbiemër Doçi. Ai është shprehur se nuk e di me pas çfarë ka ndodhur  me kufomën.

Raportohet se janë shpallur në kërkim dhe dy anëtarë të familjes Doçi. Policia vijon kërkimet për gjetjen e trupit të Jan Prengës, por deri tani pa asnjë rezultat konkret.

Polica e ka ndjekur me dron fugonin e drejtuar nga Festim Bexhdili por për shkak të errësirës ai ka humbur gjurmët./abcnews.al