Policia vijon prej ditësh kërkimet për gjetjen e trupit të Jan Prengës, të rrëmbyer në Kamëz më 17 janar.
Forca të shumta të uniformave blu kanë shtrirë kërkimet në një zonë me rreze prej 4 kilometrash rreth resortit të familjes Hajri në Shijak, nga ku, sipas hetimeve u nxor dhe u zhduk, trupi i pajete i 49 vjeçarit.
Policia ka marrë në ruajtje 24 orë familjen e Jan alias Dode Prengës, që jeton në Bathore në periferi të kryeqytetit për të shmangur mundësitë e përplasjeve të mundshme pas vrasjes së djalit të tyre.
Burime nga Polica kanë bërë të ditur për ABC News se është identifikuar bashkëpunëtori i Astrit Prengës, me të cilin kanë fshehur kokainën në Mbretërinë e Bashkuar. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet G.Sh.
Ai nuk e ka kthyer sasinë e tij të kokainës pasi personat që e kishin marrë peng Jan Prengën nuk u ka dhënë siguri që ai ishte gjallë. Sipas burimeve të prokurorisë shtetasi me iniciale G.SH po hetohet për llogari të autoriteteve britanike.
Konflikti për kokainën në Angli ka nisur për shkak se Prenga pasi ka nxjerrë drogën nga porti i Portsmuthit ka kërkuar një pagesë më të lartë se më parë.
Sipas burimeve nga hetimi, urdhri për rrëmbimin e 49 vjeçarit është dhënë nga Gramoz ose Dritan Rexhepi allias Lulzim Murataj në një burg në Ekuador, një person me shumë dritëhije dhe i njohur si bosi i kokainës, të cilën e ka fshehur grupi i Astrit Prengës, vëllait të viktimës.
Ndërsa biznesmeni Gentian Doçi së bashku me dy kushërinjtë Martin Bleta e Korado Gështenja, që konsiderohen si krahu i djathtë i Doçit, kanë luajtur një rol kyç në këtë ngjarje.
Doçi, sipas prokurorisë, e ka kërcënuar Prengën me jetën e të vëllait nëse nuk dorëzonte 300 kg kokainë në destinacion. Të premten gjykata la në burg 5 persona te arrestuar për këtë ngjarje./abcnews.al