Luiza Gega fiton medaljen e bronzit në Mitingun e Atletikës në Salla të Mbyllura në Karlsruhe të Gjermanisë. Sportistja shqiptare theu edhe rekordin kombëtar në garën e 3 000 metrave
E dha sinjalin që në fillim të vitit. Luiza Gega ishte e shkëlqyer në garën e parë të 2020-ës, zhvilluar në Gjermani, duke dhënë shpresë për suksese e medalje. Atletja më e mirë shqiptare doli në vend të tretë në konkurrimin e 3 000 metrave në Mitingun në Salla të Mbyllura në Karlsruhe të Gjermanisë, madje me një rezultat vërtet të shkëlqyer.
Ajo dha kohën 8’44”46, duke e ulur ndjeshëm rekordin kombëtar, që është edhe rekordi i saj personal në këtë garë. Koha e mëparshme e Gegës ishte 8’52”53, pra përmirësimi është i jashtëzakonshëm, mbi 8 sekonda.
Ky miting ishte pjesë e Turit Botëror, pra një nga më të rëndësishmit e vitit. Gara u fitua nga atletja nga Etiopia, Fantu Uorku, me kohën më të mirë të botës për këtë vit, 8’37”58, ndërsa në vend të dytë doli Kiprop e Kenias, me gati 3 sekonda vonesë.
Edhe koha e Gegës ishte më e mirë se koha më e mirë e vitit për salla të mbyllura. Synimet e atletes shqiptare janë për një përfaqësim sa më të mirë në Kampionatin Botëror në Salla të Mbyllura, që është në program të zhvillohet në Nankin të Kinës në muajin mars, por sidomos në Lojërat Olimpike Verore që do të mbahen në Tokio të Japonisë në korrik-gusht të këtij viti. /abcnews.al