I ftuar në “Provokacija” me Mustafa Nanon, shkrimtari i njohur Nasho Jorgaqi ka folur për fatin e librit në Shqipëri. “Libri i letersisë shqipe po kalon krizë. Të vjen keq kur sheh se 80 për qind e librave në panairin e këtij viti ishin të huaj”, tha ai.
Më tej shprehet se letersia shqiptare, krahasuar me 40 vite më parë është e dobët: “S’ka shkrimtar që ia kanë kaluar Kadaresë apo Agollit”.
I ngacmuar nga Mustafa Nano se ndoshta nuk i ka ndjekur me vëmendje botimet e reja të autorëve si Ben Blushi, Preç Zogaj apo Gazmend Kapllani, Jorgaqi u shpreh: “Preçi mbetet poet edhe pse ka botuar romane. Ben Blushi bëri dy libra por s’po ndihet më. Kapllanin nuk e njoh si shkrimtar, por vetëm si gazetar”.
Shkrimtari ngre pyetjen se cili do të jetë fati i bibliotekave të intelektualëve të shquar pas ikjes së tyre nga kjo botë, ndërsa thekson se shteti nuk ka një ligj për trashëgiminë që lënë personalitetet e shquara. “Ligji do të ndihmonte që trashëgimia e këtyre intelektualëve të çmohet ligjërisht”, theksoi ai.
I ndalur tek Mid’hat Frashëri ai theksoi se ka një meritë të pazëvendësueshme dhe se kishte një bibliotekë të veten. “Nëse ne kemi fondin më të pasur alabanologjik dhe balkanologjik e kemi falë tij. Nuk kishte vepër që të dilte në botë me temën e Shqipërisë apo të Ballkanit që ai mos ta siguronte. Ai ka pasur jo vetëm bibliotekën më të madhe, por edhe më me vlerë kombëtare”, u shpreh Jorgaqi.
Çfarë është bërë me bibliotekën e Konicës dhe Nolit?
Jorgaqi: Janë përvetësuar nga njerëz të ndryshëm, siç është përvetësuar biblioteka e Enver Hoxhës.
I pyetur se përse e minimizon rëndësinë e bibliotekës së tij sërish ai u tregua modest duke u shprehur: “Biblioteka ime nuk ka ndonjë vlerë të madhe, edhe pse kam thuajse të gjitha veprat e letërsisë shqipe, ndërsa theksoi se ndjehet i privilegjuar sepse ka pothuajse të gjithë botimet e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”./abcnews.al