“E dinë topin akoma katror”, Bytyçi akuzon dhe i përgjigjet ish-trajneri

schedule10:20 - 30 Janar, 2020

schedule 10:20 - 30 Janar, 2020

Arena janë rrjetet sociale. Ndodh shpesh që futbollistët të ankohen apo të akuzojnë përmes postimeve në këto platforma dhe këtë rrugë ka zgjedhur edhe portieri Mario Bytyçi. I larguar nga Burrelli që në muajin dhjetor, portieri 34-vjeçar ka shumë për të thënë.

Gjithsesi asnjë emër i nxjerrë, edhe pse më vonë ka pasur një reagim të trajnerit të Burrelit, Alert Alcani. “E nisa këtë profesion me përkushtim të madh që fëmijë. U rrita me futbollin dhe me të do të vdes, pavarësisht disa pseudo-drejtuesve që e dinë topin akoma katror. E dinë vetë kush janë. Janë ata që deri dje hidhnin gurë në fushë dhe sot janë drejtorë në thonjëza.

Ose ata që i japin një top fëmijëve në shkollë dhe i duket vetja sikur janë Zoti. Por një gjë po ju them: dita kur do të zhdukeni nga sporti është e afërt. Sporti nuk është pronë, sporti është i një qyteti të caktuar, nuk është privat”, shkruan portieri Bytyçi, i cili aktualisht është pa ekip.

Disa orë më vonë, lezhjani Alcani në llogarinë e tij në “Instagram” shkruan: “O njeri, nuk je i përjetshëm mbi këtë tokë! Je mysafir në këtë dynja, andaj mos urre, mos përgojo, mos lëndo, mos fyej. Lë gjurmë dhe vepra të mira, që kur të largohesh nga kjo botë, të kujtojnë njerëzit dhe të luten për ty”. /abcnews.al

Postimet e bëra nga Mario Bytyçi dhe Alert Alcani